Përkujtohet Besim Zekthi, valltari i shquar i Ansamblit Popullor

10

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit përkujtoi sot, në 88-vjetorin e lindjes, të madhin Besim Zekthi (5 shkurt 1936 – 28 qershor 2020), me një klip të shkëputur nga dokumentari “Vallëzimi i shqipeve” (Endri Keko, 1960).

“Mjeshtër i valles popullore shqiptare, valltar solist i pakrahasueshëm i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, i cili shkëlqeu veçanërisht në vallet e epikës legjendare duke performuar me shpirt dhe hijeshi të veçantë eposin shqiptar”, shkruan AQSHF në faqen e tij online, duke e falenderuar mjeshtrin, për çdo emocion që i dhuroi zemrave të shqiptarëve.

Mjeshtri i valles popullore mbarëshqiptare Besim Zekthi, u nda nga jeta 4 vjet më parë. Ai ishte vlerësuar me titullin “Nderi i Kombit” dhe “Gjerdani i artë”. Në kalendarin artistik të 2023, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore vendosi koncertin “Legjenda e valles shqipe, Besim Zekthi – Nder i Kombit”, dedikuar valltarit të shquar.

/ata.gov.al