Pini kafe dhe zemra, truri, mëlçia dhe ADN-ja do t’ju falënderojnë

16

Nëse nuk mund të dalloni kafen ekspres nga një kapuçino, mos u mërzisni. Çfarëdo që të porosisni dhe sido që ta pini, kafeja është e mirë për ju, sipas “The Sun”.

Mbi 2,25 miliardë filxhanë me kafe pihen në mbarë botën çdo ditë.

Javën e kaluar studiuesit e Universitetit të Harvardit zbuluan se pirja e kafesë dhe çajit ju ndihmojnë të jetoni më gjatë.

Studimi tregoi se të rriturit me diabet të tipit 2 kanë më pak gjasa të vdesin herët nëse heqin dorë nga pijet me sheqer dhe pinë deri në gjashtë filxhanë në ditë.

Rreziku i vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare për personat me diabet të tipit 2 u ul me 18% te individët që pinin kafe.

Në fakt, kafeja ka një sërë përfitimesh shëndetësore.

“Dëshmitë tregojnë se ata që pinë kafe jetojnë më gjatë, dhe preken më pak nga sëmundjet e zemrës dhe kanceri, sesa ata që nuk pinë kafe”, tha për “Sun Health”, Dr. Sarah Berry, e Departamentit të Shkencave të Ushqyerjes në “King’s College”.

Kafja është e pasur me polifenole, efektet e saj të dobishme ka të ngjarë të lidhen me këta përbërës.

JETËGJATËSIA

Nuk është vetëm Harvardi që argumenton se kafeja mund të zgjasë jetën tuaj.

Hulumtimi i publikuar në Gazetën Evropiane të Kardiologjisë Parandaluese zbuloi se pirja e dy deri në tre filxhanë kafeve në ditë lidhet me një jetë më të gjatë.

E njëjta gjë vlen edhe për kafenë e bluar, të menjëhershme dhe atë pa kafeinë.

“Rezultatet sugjerojnë se konsumimi i moderuar i kafesë së bluar, të çastit dhe pa kafeinë duhet të konsiderohet pjesë e një stili jetese të shëndetshëm”, tha profesor Peter Kistler i Institutit të Kërkimeve për Zemrën dhe Diabetin, në Australi.

MBROJTJE E VESHKAVE

Veshkat tuaja mund t’ju falënderojnë që keni pirë kafen “amerikane”.

Zbulimet e publikuara në revistën “Kidney International Reports”, i Universitetit John Hopkins në SHBA, treguan se një filxhan kafe në ditë mund të zvogëlojë rrezikun e dëmtimit akut të veshkave.

Përbërjet në kafe, ose ato të kombinuara me kafeinë, u zbuluan se mbështesin mirëfunksionimin veshkave.

ULJE E VDEKSHMËRISË

Një projekt i përbashkët kërkimor nga Universiteti Mjekësor Jugor në Guangzhou, Kinë dhe Biobank në Britaninë e Madhe, i botuar në “Annals of Internal Medicine”, zbuloi se të rriturit që pinin 1.5 deri në 3.5 filxhanë kafe në ditë kishin më pak gjasa të vdisnin në një periudhë kohore shtatëvjeçare.

Më shumë se 171 000 pjesëmarrës morën pjesë në studim, ndërsa studiuesit zbuluan se ata që pinin kafe kishin 16-21% më pak gjasa të vdisnin në shtatë vitet e ardhshme sesa pjesëmarrësit që nuk pinin kafe.

KURA E MREKULLISË

Diskinesia është një gjendje e rrallë shëndetësore që karakterizohet nga shtrëngime dhe lëvizje të pavullnetshme.

Mjekët e Institutit të Trurit, në Paris publikuan rastin e një fëmije që vuante nga kjo gjendja, i cili mundi t’i rikthehej jetës normale falë pirjes së kafesë.

I njëjti ekip zhvilloi një studim në pacientët me diskinezi.

Ata zbuluan se 87% e pjesëmarrësve panë se simptomat e tyre përmirësoheshin apo zhdukeshin plotësisht duke pirë kafe.

NXITJA E TRURIT

Pirja e kafesë mund të zvogëlojë rrezikun e sëmundjes së Parkinsonit, veçanërisht te meshkujt, deri në 30%, sipas hulumtimeve të vazhdueshme të Institutit për Informacionin Shkencor, në SHBA.

Megjithëse, aktualisht nuk ka asnjë kurë për Alzheimerin, një studim i Universitetit Edith Cowan, në Australi, zbuloi se pjesëmarrësit me konsum më të lartë të kafesë përjetuan një shkallë më të ngadaltë të rënies të memories.

SHMANGIE E DIABETIT

Jo vetëm që kafeja mund të ndihmojë në uljen e diabetit të tipit 2,

Studiuesit në Shkollën e Shëndetit Publik të Harvardit, zbuluan se kafeja mund të ndihmojë jo vetëm në uljen e diabetit të tipit 2, por gjithashtu ajo mund të zvogëlojë rrezikun e zhvillimit të vrasësit të heshtur.

Pjesëmarrësit e studimit të cilët e rritën konsumin e tyre të kafesë me një filxhan në ditë gjatë një periudhe katërvjeçare, kishin një rrezik 11% më të ulët për t’u prekur nga diabeti i tipit 2.

NDIHMON ZEMRËN

Një studim i botuar në Gazetën Evropiane të Kardiologjisë Parandaluese, nga Instituti i Kërkimeve të Zemrës dhe Diabetit, zbuloi se konsumimi i deri në pesë gotave në ditë redukton rrezikun e sëmundjes së zemrës dhe goditjes në tru.

Dy deri në tre gota në ditë ishin optimale sipas hulumtimit, duke reduktuar rrezikun e të dyja gjendjeve me rreth 20%.

NDIHMON MËLÇINË

Një raport i “British Liver Trust” zbuloi se pirja e kafesë mund të parandalojë kancerin e mëlçisë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka konfirmuar gjithashtu efektet mbrojtëse të kafesë për kancerin e mëlçisë pas shqyrtimit të mbi 1000 studimeve.

Përveç mbrojtjes së mëlçisë, kafeja gjithashtu zvogëlon rrezikun e fibrozës dhe cirrozës së mëlçisë.

ADN REZISTENTE

ADN-ja është e pamundur të riparohet, por është zbuluar se pirja e kafesë e mban atë në gjendje më të mirë, duke reduktuar dëmtimin qelizor.

Dëmtimi i ADN-së mund të çojë në shfaqjen e kancerit.

Një studim i Universitetit të Kalifornisë në Los Anxhelos, i botuar në revistën “Nutrition and Cancer”, zbuloi se kafeja mbron ADN-në nga kanceri i mëlçisë, mitrës dhe kolorektalit.

Një tjetër studim i Shërbimit Kombëtar të Ekzaminimit të Shëndetit, në Oslo, Norvegji, i botuar në revistën “Cancer Causes & Control”, zbuloi se kafeja ul rrezikun e kancerit të mushkërive.

/ata.gov.al