Po punohet për dixhitalizimin e mbi 10 mijë librave (Fotot)

15

Në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave vijon puna intensive ku mbi 10 000 libra po inventarizohen, përpunohen manualisht dhe në mënyrë dixhitale, për pasqyrimin e këtij katalogu në variantin elektronik.

DPA bën të ditur se ky projekt ka për synim që biblioteka e këtij institucioni të jetë lehtësisht e aksesueshme në shfletimin e literaturës në gjuhën shqipe dhe të huaj nga të gjitha degët e shkencës.

Biblioteka e Arkivit Qendror Shtetëror administron dhe ruan mbi 10.000 libra. Natyra e librave në bibliotekë është e larmishme, midis tyre gjenden Enciklopedi, libra historikë, fetarë, fjalorë, fletore zyrtare, metoda, etj. Librat janë të viteve të ndryshme, ata më të hershmit janë klasifikuar tek fondi i librave të rrallë dhe ruhen në Dhomën e Fortë të AQSh.

Gjuha e librave është e ndryshme, ka në italisht, frëngjisht, greqisht, latinisht, osmanisht, etj. Kjo bibliotekë ka një traditë pasurimi përmes studiuesve të cilët shfrytëzojnë sallën e AQSh për studimet e tyre. Në nxjerrjen në dritë të botimeve këta studiues dhurojnë një kopje në bibliotekën e AQSh.

Krahas pasurimit të vazhdueshëm të bibliotekës, në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave po punohet çdo ditë për inventarizimin dixhital dhe për pasqyrimin e këtij skedari në variantin elektronik, me synimin që biblioteka të jetë më e lehtë e aksesueshme në shfletimin e informacionit bibliografik.