Preshevari: Mos mbillni kanabis, por paulownia

580

imag1297pm1Liridon Fejzullahu është një preshevar, që për atë që bën e thotë, mund të ketë një rëndësi me peshë kombëtare, edhe pse nuk është figurë publike. Ngase ne, shqiptarët pra, sidomos në Shqipëri, po e bëjmë kanabisin një zeje bazë, ku përfundimi nuk mundet të mos jetë vetëm shkatërrimi.  Liridoni drejton një kompani të kultivimit dhe tregtimit të paulonwias, dhe ka një ofertë për çdo njeri, për atë i cili hem do të jetojë mirë materialisht, pra të ketë para e pasuri, por dhe të mbetet i ndershëm e mos përfundojë në krim, duke vrarë dhe të ardhmen e fëmijëve. Ai thotë se me paulownian, një kulture e re drusore për hapësirat shqiptare, e tashmja dhe e ardhmja thjesht do jetë më e begatë. Dhe ja pse….

Kur ka nisur kultivimi i paulownias, në  ç’vend e në ç’kohë?

Paulwonia në fakt ëstë kultivuar në Kinë që prej 3000 vjetësh, më pas në SHBA prej vitit 1700 dhe në Japoni prej vitit 1970. E që nga ajo kohë, ky dru u bë një biznes eksporti prej miliarda dollarësh.

Tek ne në Serbi, si bimë dekoruese është mbjellë nëpër parqe të qyteteve të mëdha para disa dekadash. Kurse nga viti 1998 është duke u mbjellë si dru plantacioni nën mbikqyrjen e specialistëve të pylltarisë edhe agronomisë.

Sot në Serbi, rreth 25 plantacione janë nën mbikqyrjen e ekspertëve më të mirë që kanë përvojë me këtë kulturë drurore. Në bazë të rezultateve të arritura, vlerësohet se vendet ballkanike kanë një klimë të volitshme për zhvillimin e kësaj bime, e cila po rezulton  me rendimente të mira.

Ju, si u njohët me paulonwian dhe pse morrët vendimin që të kultivoni fidanët e saj?

Ne si bletëritës para se të njiheshim me paulonwian, kërkonim një bimë që është mjaltdhënëse për bletët, dhe nga një përpjekje jo e lehtë, ramë në  adresë të një druri që kishte emër të panjohur, një fidan i panjohur dhe një proces i panjohur i zhvillimit të saj.

Duke e studiuar si kulturë, zbuluam të mirat e shumta që bartte, dhe ekipi ynë duke e parë me syrin vizionar   mori një vendim që kjo bimë të kultivohet për nevojat tona dhe të plotësimit të ideve që na dolën për këtë dru, si dhe të bëhet e mundur që çdokujt që i intereson paulonwia të ketë një adresë në Ballkan për ta blerë atë. Ne ishim kompania e parë që aplikuam për t’u regjistruar dhe çertifikuar në ministrinë përkatëse këtu në Serbi, e që edhe kjo ishte një sfidë më shumë. Sfidat ndërkohë vazhduan edhe më vonë kur ne filluam të eksportonim fidanet tona në shtetet fqinje, sepse kjo ishte diçka e re për doganat, gjë që bënte të dyshonin se ishte diçka jo e ligjshme si bimët narkotike. Njohuritë bazë mbi paulonwian i morëm nga interneti duke shkëmbyer përvojat me disa prodhues që kishin filluar me kultivimin e saj disa vite para nesh, dhe tashmë jemi mjaft të kënaqur nga ajo çfarë kemi përfituar dhe realizuar në  terren, sepse është një dru i cili rritet 4 herë më shumë se plepi dhe shelgu dhe jep rendimente shumë më të mira .

Si paraqitet trendi i kultivimit të paulownias në hapësirat shqiptare?

Në hapësirat shqiptare është mirëpritur mirë si një kulture e re e cila premton shumë. Ajo është parë nga fermerë dhe biznesmenë me një largpamësi, të cilët kanë investuar në një treg shumë ekonomik dhe shumë fitimprurës, që kërkon shumë pak fuqi punëtore dhe jep shumë rendiment. Nga statistikat që kemi, në Shqipëri janë mbjellë deri më tani mbi 100 ha me paulonwia ku 85 % e tyre janë mbjellë brenda 12 muajve të fundit.  Ndërsa në Kosovë, janë mbjellë rreth 20 ha, ku po ashtu pjesa me e madhe brenda 12 muajve te fundit. Ajo çka vihet re është një interesim në rritje për këtë dru që ndryshe cilësohet edhe si “mbretëror” .

A premton tregu paulonwias sot në botë të ardhmen e saj të garantuar?

Kërkesa e tregut botëror për drurin e paulonwias është e mbuluar vetëm me 3%. Poqese e gjithë Europa do të mbillej me paulonwia, përsëri do kishte mungesë në plotësimin e kërkesave globale për këtë lloj druri. Paulonwia për viset tona është një kulture e re, dhe mendoj se tregu- konsumatori i drurit në vend nuk është i informuar sa duhet me veçoritë e të mirat e saj. Në momentin që t’i kuptojnë veçoritë kalorike të paulonwias, ata do të jenë të interesuar të furnizohen me këtë dru më shumë se me druj vendorë.

Bungu(dushku), ka fuqinë kalorike 2800çal, kurse paulonwia dy herë më shumë, d.m.th 4800 çal, i barabartë me qymyrgurin e kualitetit të parë. Pastaj, vetitë fizike të paulonwias janë më të mira, sepse është i qëndrueshëm në lagështi nuk e thith ujin, si dhe e ruan ngjyrën më mirë se drunjtë vendor. Gjithashtu, makinat të cilat përdoren në industrinë e drurit e përpunojnë me lehtë sepse kultivohet si dru pa nyje, nuk plasaritet dhe është shumë elastik

A ka interes kultivimi i saj, sidomos për shqiptarët në raport me gjendjen e tyre ekonomike?

Po ka shume interes, sepse investimi fillestar është shumë i vogël dhe përfitimet kundrejt investimit janë shumëfish më të mëdha. Një  plantacion prej 1 ha me paulonwia ngrihet me 4000 – 5000 euro dhe shpenzimet për 7 vite, llogarisim plus 3000 euro,  do të thotë që me një investim prej 8000 eurosh në një plantacion prej 1 ha përfitimet arrijnë deri në 300 000 euro. Por le të jemi modestë: dhe nesë veç 100 000 euro fitojmë nga 1 ha është e mjaftueshme.

A janë të kënaqur kultivuesit e deritanishëm dhe a u është “shtuar uria” për më shumë?

Ne si kompani, me përvojën e ekspertëve tanë  kemi mbajt kontakte të vazhdueshme me çdo kultivues të fidanit tonë, në secilën fazë të zhvillimit, dhe që bashkarisht kemi mundur të arrijmë më të mirën e mundshme. Dhe pas sukseseve të dukshme, uria është shtuar  jo vetëm tek fermerët që e kanë kultivuar, por edhe tek të tjerët që i kanë përcjellë ato plantacione me kurreshtje të madhe.

Tek shqiptarët e Shqipërisë ka një problem: quhet kanabis. A do ndiheshim më mirë sikur të mbillnin paulonia?

Mjaft të them se kultivimi i paullownias është akt human në shumë kuptime, ndërsa kultivimi i kanabisit është krim, po ashtu në shumë kuptime, gjersa ka për destnacion tregun e drogës. Edhe ata që të etur për fitime, duhet ta kuptojnë se ai është një krim, që në fund të fundit do i vrasë si ata e si të ardhme e fëmijëve të tyre. Nga një krim nuk mund të lindë kurrë progresi, e mira, e dlira. Dhe këtë nuk është nevoja ta them unë, kjo është mëse e kuptueshme.

Ndërsa të mbillet një paulonwia është sikur të shpëtojmë një jetë; e të shpëtohet një jetë, me standart hyjnor është sikur e shpëtosh gjithë njerëzimin. Unë nuk kam njohuri mbi të ardhurat nga kanabisi, por nga sipërfaqja e mbjellë me paulonwia, në një hektar brenda 7 vitesh do të përfitohen rreth 300 000 euro, një fitim jo i vogël, duke llogaritur dhe qetësinë e shpirtit, derisa nuk po shkel ligjin e bën një krim, gjë që nuk ka të paguar. Po ta shikojmë në prizmin tjetër, sipërfaqet e mbjella me pyje e sidomos me paulonwia, e cila ka kurorë të larte dhe gjethe të mëdha, lule të shumta dhe efekt shumë të mirë ekologjik, pasi absorbon sasi të madhe të pluhurit dhe gazrave të dëmshme për shëndetin e njerëzve në kushtet e ngrohjes globale duke qenë dhe armiku kryesor i dioksidit të karbonit, ne shohim pra që përfitimet janë të jashtëzakonshme dhe në sferën shoqërore e sociale. Të gjitha ato vende që merren me kultivimin e këtij druri, ndikojnë jashtëzakonisht shumë në përmisimin e klimës, respektivisht pengimin e ngrohjes globale.

Është terreni dhe klima shqiptare e favorshme për paulonian?

Në hapësirat shqiptare ekzistojne kushte shumë të mira klimaterike, pedologjike dhe hidrologjike për kultivimin e paulonwias. Në viset shqiptare, kryesisht mbretëron klimë mesdhetare, submesdhetare dhe e mesme kontinentale. Viset tona paraqesin një mozaik të vërtetë të tokave dhe vlerësoj se kemi kushte shumë të mira pedologjike. Paulonwia zhvillohet në të gjitha llojet e tokave të cilat janë të kullueshme dhe ujin nëntokësor e kanë me thellësi 2 metra. Në viset tona, sasia e reshjeve është e ndryshueshme; ajo sillet me një mesatare nga 2000mm-700mm, mirëpo sasia e mjaftueshme e ujrave siperfaqësorë na krijon mundësine që në periudhën e vitit pa reshje, të bëjmë ujitjen e bimës dhe të jemi kemi shumë rezultat.

Cila do isha një këshillë e shkurtër për njerëzit, në formën e një aksiome për t’i nxitur që t`i futen paulonwias?

Ato pronat bujqësore të cilat është bërë e mundur të shfrytëzohen deri më tani për shkaqe të ndryshme, le të mbillen paulëonia. Është është druri i së ardhmes, siç dhe i së tadhmes. Dhe le të kontribuojmë kështu që e ardhmja jonë dhe e pasardhësve tanë të jetë më e mirë. Ndërsa kanabisi e shuan atë, ndjell dhe mbjell vdekjen, edhe të së ardhmes.

Burimi: Te sheshi.com