Procedura/ Si do të blihen në tregun e lirë apartamentet që do të përdoren për strehimin social

41

Qeveria ka përcaktuar procedurat për blerjen e banesave në tregun e lirë, të cilat do të përdoren për programin e banesave sociale me qira.

Referuar vendimit, blerja e banesave sociale në tregun e lirë realizohet, si rregull, kur çmimet e shitblerjes së banesave në treg janë më të ulëta se kostoja e ndërtimit të banesave të reja.

Blerja e banesave sociale me qira do të kryhet drejtpërdrejt në treg të lirë dhe/ose nga shitja e banesave në ankandin e organizuar nga përmbaruesi gjyqësor, pasi ka mbaruar ankandi i parë.

Banesat që blihen për t’iu shtuar fondit të banesave sociale me qira, duhet të plotësojnë normat dhe kushtet e parashikuara në legjislacionin në fuqi, që përcakton kushtet, normat dhe standardet e banesave sociale në programet përkatëse të strehimit.

Njësia përgjegjëse për strehimin në njësinë e vetëqeverisjes vendore ose Enti Kombëtar I Banesave, përpara fillimit të procedurës me shpalljen publike të ftesës për marrjen e ofertave për shitblerjen e banesave sociale, kryen këto veprime:

a) formulon shpalljen e ftesës publike për marrjen e ofertave;

b) përcakton dokumentacionin e nevojshëm për vlerësimin e ofertave duke listuar kërkesat dhe kriteret ligjore e teknike;

c) identifikon nevojat që rezultojnë për të përfituar nga fondi i banesave sociale me qira, numrin e familjeve/individëve të interesuar dhe numrin përkatës të anëtarëve për çdo familje;

ç) evidenton për numrin e banesave që mund të blihen dhe strukturën e tyre përkatëse, në varësi të fondit që ka në dispozicion.

Afati brenda të cilit priten të depozitohen ofertat për banesat sociale që mund të blihen nga tregu i lirë është 15 (pesëmbëdhjetë) ditë, duke filluar nga e nesërmja pas ditës së tretë të publikimit të ofertave në medien e shkruar dhe vizive.

Njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe Enti Kombëtar i Banesave, me shpalljen publike të ftesës për marrjen e ofertave për shitblerjen e banesave sociale, ngrenë komisionin e shqyrtimit të ofertave për administrimin e procedurës së shitblerjes.

Komisioni përbëhet nga pesë veta: një nënkryetar i njësisë së vetëqeverisjes vendore ose një drejtor i Entit Kombëtar të Banesave, në rolin e kryetarit të komisionit, një ekonomist, një inxhinier, një jurist dhe një punonjës/e nga strukturat përgjegjëse për strehim, në rolin e anëtarit të caktuar përkatësisht nga kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore ose drejtori i përgjithshëm i Entit Kombëtar të Banesave. Anëtarë të komisionit caktohen persona të cilët nuk ndodhen në kushtet e konfliktit të interesit.

Njësia e vetëqeverisjes vendore ose Enti Kombëtar i Banesave mbështetet financiarisht nga buxheti i shtetit, kur me të ardhurat e tyre nuk përballojnë financimin për blerjen e objektit dhe/ose investimin për përshtatjen e tij gradualisht me kushtet, normat dhe standardet në fuqi.

Çmimi i blerjes negociohet ndërmjet palëve, pasi të jetë bërë një vlerësim paraprak i gjendjes së tregut dhe i kostos së investimit për përshtatjen e banesës në raport me vlerën e një ndërtimi të ri në treg nga struktura përgjegjëse për strehimin.

Vendimi për blerjen merret nga këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore ose këshilli drejtues i Entit Kombëtar të Banesave, vetëm nëse vlerësimi paraprak i bërë tregon se kostot për blerjen e objektit dhe investimit për përshtatjen graduale do të ishin më të ulëta se sa kostot për ndërtimin e një objekti të ri. Banesa ose objekti i blerë i shtohet fondit publik të banesave sociale.

Kontrata për blerjen e banesave të destinuara për t’u dhënë me qira, si pjesë e fondit publik të banesave sociale, bëhet me akt noterial dhe lidhet ndërmjet kryetarit të njësisë së vetëqeverisjes vendore ose titullarit të Entit Kombëtar të Banesave ose personit të autorizuar prej tyre, dhe subjektit publik ose privat në rolin e shitësit. Kontrata parashikon kalimin e objektit në pronësi të njësisë së vetëqeverisjes vendore ose Entit Kombëtar të Banesave, së bashku me pjesën në bashkëpronësi.

Kontrata për blerjen e banesave sociale në treg, të destinuara për dhënien me qira, i dërgohet Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, për regjistrimin e kalimit të së drejtës së pronësisë në favor të njësisë së vetëqeverisjes vendore ose Entit Kombëtar të Banesave, si pjesë e fondit publik të banesave sociale me qira.