Procedurat e reja/ Ja si do të bëhet aplikimi për pasaportat biometrike

100

Përmes një vendimi të miratuar më 2 shtator, Këshilli I Ministrave ka ndryshuar procedurën për pajisjen e qytetarëve me pasaportat biometrike.

Shtetasi, i cili aplikon për herë të parë për t’u pajisur me pasaportë biometrike, plotëson formularin e identifikimit me fotografi, në zyrën e gjendjes civile në bashkinë/njësinë administrative, ku ka vendbanimin. Shtetasit që nuk e bëjnë për herë të parë aplikimin, nuk do kenë nevojë të kryejnë veprimet e mësipërme, por do mund të aplikojnë direkt në zyrat e aplikimit, pas rezervimit online të takimit në portalin qeveritar e-Albania, duke paraqitur kuponin e aplikimit dhe si mjet identifikimi pasaportën ekzistuese.

Kur aplikimi për pajisje me pasaportë bëhet jashtë vendit, formulari i identifikimit me fotografi, plotësohet në zyrën konsullore, e cila verifikon të dhënat dhe vijon me procedurat përkatëse.

Pajisja me pasaportë biometrike kryhet sipas afateve të mëposhtme: brenda 15 ditëve nga data e aplikimit me procedurë normale, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë; brenda 3 ditëve nga data e aplikimit me procedurë të përshpejtuar, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë; brenda 30 ditëve nga data e aplikimit në përfaqësitë diplomatike/konsullore, jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Ndërkaq, të dhënat e formularit të identifikimit me fotografi verifikohen nga zyra e gjendjes civile/njësia administrative dhe nga Policia e Shtetit dhe dërgohen në zyrën e aplikimit, brenda: 7 ditëve, për aplikimin e pasaportës me procedurë normale; dhe 1 ditë, për aplikimin e pasaportës me procedurë të përshpejtuar.