Ku mund të punësoheni? Ja sektorët që ofrojnë më shumë vende të lira pune në Shqipëri

109

Potencialet e sektorëve ekonomikë për të hapur vende të reja punë ndryshojnë në mënyrë të vazhdueshme në varësi të ecurisë dhe zhvillimit që kanë. Por cilët janë aktualisht sektorët që ofrojnë më shumë mundësi punësimi për ata që janë në kërkim të një vendi pune? Sipas të dhënave të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, të përpunuara nga TV SCAN,  në një vit, pranë zyrave të punësimit në të gjithë vendin, janë janë shpallur në total 50,785 vende te lira pune.

Sipas aktiviteteve ekonomike numri më i lartë i vendeve të lira për Janar-Dhjetor 2019, është marrë nga industria përpunuese, e cila zë  39%, ku vetëm përpunimi i tekstileve, konfeksionimi i veshjeve dhe prodhimi i lëkurës dhe produkteve prej lëkure arrin në 24 për qind dhe në vendin e dytë si sektori që ofron më shumë mundësi, renditet informacioni dhe komunikacioni  me 15% të totalit.  Mundësitë më të pakta janë ofruar nga industria e prodhimi të drurit dhe produkteve prej druri, i letrës dhe produkteve prej letre, shtypshkrime, me vetëm 4 për qind.

Sipas llojit të vendeve të lira të shpallura 71% prej tyre janë vende të reja pune. Ndërsa sipas kategorive profesionale numri më i lartë i vendeve vakante të shpallura është për zejtarë dhe zanatcinj, të ndjekur nga profesionet elementare.