Prodhimi bio, a e dini sa ferma organike ka Shqipëria? Si të përfitoni subvencion

96

Fermerët dhe bizneset e agroturizmit po rrisin interesin për të investuar në ferma organike dhe rritjen e prodhimit bujqësor bio, që janë mjaft të kërkuara krahas eksportit edhe nga vizitorët, turistët vendas dhe të huaj.

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) bën të ditur se janë 122 fermerë  aplikantë të kualifikuar për Masën 5 të Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi, 2021, që përfitojnë financim për zgjerimin e fermave organike.

Ndërsa 45 fermerët të tjerë janë janë kualifikuar përfitues të subvencioneve nga qeveria, për certifikimin “Global Gap”.

Fermat organike, për vitin e parë, përfitojnë financim në vlerën 100 000 lekë, në vitin e dytë, 150 000 lekë dhe 200 000 lekë për fermë të certifikuar.

Sipas kritereve që ka miratuar qeveria për subvencionet në bujqësinë organike bizneset e kësaj linje përfitojnë mbështetje për ngritjen ose rikonstruksionin e ambienteve të prodhimit të produkteve tradicionale të zonës.

Ndërsa certifikimi Global GAP i produkteve bujqësore, adreson subvencionimin të fermerëve, në 50 % të vlerës totale të faturës tatimore.

Sipas kritereve të përcaktuara, në Skemën Kombëtare të Mbështetjes për bujqësinë 2021, përfitojnë financim të gjithë fermerët që aplikojnë certifikimin Global GAP, por jo më shumë se 175 000 lekë, në perime, fruta, rrush, ullinj dhe agrume, në sipërfaqe të mbjellë jo më pak se 1 hektar.

Qeveria mbështet fermat bujqësore organike, krahas certifikimit të produkteve bujqësore me standardet europiane, Global GAP, si faktor të rëndësishëm në nxitjen e eksporteve të sigurt “Made in Albania”, drejt tregjeve ndërkombëtare.

Sipas statistikave të MBZHR, janë rreth 200 biznese organike në të gjithë vendin, të përfaqësuara nga ferma bujqësore.

Kompanitë shqiptare të prodhimeve organike përfaqësojnë një sërë produktesh që nga mjalti, perimet, frutat dhe mishi dhe bulmeti. Ekspertët tregojnë se në tregjet evropiane  prodhimet organike shiten me një çmim 30 % më të lartë se prodhimet e tjera ku përdoren kimikatet industriale.

Gjatë 7 muajve të pare të këtij viti eksportet e produkteve bujqësore shënuan rritje me më shumë se 18 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Eksportet bujqësore, në total janë rritur nga rreth 100 milionë dollarë në fund të vitit 2014, në 400 milionë dollarë në fund të vitit 2020, ndërsa parashikohet të shkojnë në mbi 1 miliard në katër vitet e ardhshme.

Në total, Shqipëria ka 367 ferma organike