PROFIL/ E nisen me 10 koshere, sot kanë 1000. Njihuni me Florën dhe Dritanin, dy bletërritësit model

80

Flora dhe Dritan Hoxha nga Kavaja, prej kohësh me profesion bletërritës, e kanë nisur aktivitetin me 10 koshere bletë dhe sot kanë 1000 koshere mbështetur vazhdimisht edhe nëpërmjet skemës kombëtare të mbështetjes në bujqësi dhe blegtori.

Flora shprehet shumë e kënaqur me ecurinë e biznesit të saj që është rritur këto vitet e fundit falë mbështetjes që ka marrë nga subvencionet që jep qeveria.

“Kemi 4 vite që aplikojmë pranë AZHBR dhe kemi marrë mbështetje financiare sipas skemës për 150 koshere”– thotë Flora, teksa tregon se, “sot e ka rritur në 12 numrin e parqeve me bletë”.

Nga ferma e bletëve ajo prodhon një sërë produktesh bazë që janë mjaft të kërkuara nga tregu si propolis, poleni, qumështin e bletës e sigurisht mjaltin. Ndërsa synon të zgjeroj biznesin edhe në fushën e përpunimit drejt një cikli të mbyllur që i siguron më shumë të ardhura dhe më shumë të punësuar.

“Ne prodhojmë gati 3 kg qumësht blete në vit dhe gjatë 2020 kemi pasur kërkesë të lartë nga tregu për këtë produkt me veti të radha kurative për shëndetin”- tha Flora.

Dëshira e të dy bashkëshortëve është që sektori të përmirësohet dhe puna e ngritur të mbetet trashëgimi te djali i tyre, i cili ka premtuar vazhdimësinë e aktivitetit.