Profil/ Lirim Petanaj, mjeshtri i këpucëve për disa breza

29

Në një kioskë të thjeshtë e të vjetër, prej 53 vitesh janë endur dhe kuruar këpucët e disa brezave…

Në lagjen që mban edhe emrin e tij, “Lirim” të Vlorës, ai pret çdo ditë klientët nga i gjithë qyteti bregdetar. Prej mëngjesit e deri vonë teksa bie nata, këpucari, Lirimi Petanaj, riparon dhjetëra këpucë.

Ai tregon se në nisje të këtij profesioni ka prodhuar dhjetëra këpucë me porosi të klientëve që përgjithësisht ishin çifte të rinj, të sapomartuar, ndërsa preferencë e tyre kryesisht ishte ngjyra e zezë.

“Unë kam filluar kurs në atë kohë, në atë regjim në 1964, këtu në Vlorë erdha nga fshati, kam ndenjur 9 muaj, pastaj u ktheva në fshatin tim në Llakatund. E kam nisur jo me të reja, pastaj fillova riparimin. Burrat e duan çdo gjë të zezë, ndonjë rast të bardhë”, rrëfen ai.

Petanaj flet dhe për çmimin e këpucëve me porosi që sipas tij ishte me i ulët nga bakshishi që merrte nga klientët.

“Ishin 2800, ishin 2500, 1800, 1200 më i mirë ishte bakshishi se rroga të them të vërtetën”, thotë ai duke qeshur.

Sot Ustai i lagjes Lirim, nuk prodhon këpucë të reja, por  kryen vetëm riparime, ndërsa klientët, janë edhe moshat e reja.

“Vijnë edhe të rinjtë, sidomos te mua këtu vijnë edhe të rinjtë. Unë i qep me makinë, askush tjetër si bën, jemi mësuar unë dhe kjo”, tha Lirimi.