PROFIL/ Pjetër Rraboshta, nga ndihmës i Marubit në “mjeshtër i fotografisë”

20

Në kuadër të “Muajit të Fotografisë” sjelim sot figuren e mjeshtrit te fotografise, Pjetër Rraboshta.

Rraboshta lindi në Shkodër në 1917, në një familje artizanësh. Ai studioi në kolegjin jezuit dhe vitet e rinisë së hershme i kaloi në studion e Kel Marubit, si ndihmës i tij. Kreu shërbimin ushtarak në Gjirokastër, ku edhe atje u mor me fotografi. Në 1940 kthehet në Shkodër për të punuar së bashku me të birin e Kel Marubit, Gegën. 2-3 vjet më vonë hap studion e tij “Foto Rraboshta”, në rrugën kryesore të qytetit.

Qyteti, në fotografinë e Rraboshtës, nuk vinte kaotik, por aty mungonte klasa e lartë. Imazhet përcjellin atmosferën e një qyteti mesdhetar që ngjall vizione nostalgjie.

Talenti i Rraboshtës qëndron në aftësinë e tij për ta sjellë realitetin ashtu siç është, ashtu siç paraqitet edhe në foton e përzgjedhur nga ministrja Margariti, ku kemi një moment pune në fabrikën e karameleve.

Një punë të madhe Rraboshta ka bërë në malësinë e Shkodrës, ku realizoi shumë foto dokumentesh, pas një urdhri të autoriteteve për censin e popullsisë. Portretet e Rraboshtës duken si të ngrirë në kohë, dhe të vështrojnë ngultas drejt e në sy, edhe sot.

Pas mbylljes së sipërmarrjeve private, në 1963, ai iu bashkua kooperativës shtetërore të artizanëve. Vetëm vitet e fundit të jetës, për shkak të gjendjes shëndetësore, i la udhëtimet maleve dhe punoi në zhvillimin e fotove të kolegëve, të cilët e quanin “mjeshtri i dhomës së errët”.