Projekti drejt përfundimit, lidhet dhe ura e fundit e bajpasit të Vlorë

32

Në bajpasin e Vlorës, punimet po avancojnë me ritëm të shpejtë, ndërsa sot është lidhur dhe ura e fundit në të, çka mundëson që ky segment të jetë i hapur për qarkullimin e automjeteve gjatë këtij sezoni turistik.

Bajpasi i Vlorës ka një gjatësi prej 29 kilometrash dhe përfundimi i kësaj vepre pritet të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin, veçanërisht gjatë sezonit turistik, në drejtim të bregdetit të jugut.

Bajpasi i Vlorës po ndërtohet me standardet më të mira dhe parametrat më të lartë të sigurisë.

Rruga lidh autostradën Levan-Vlorë me rrugën nacionale bregdetare Vlorë-Sarandë, duke ndikuar edhe në lehtësimin e fermerëve, për daljen më shpejt në tregje, të prodhimit bujqësor dhe nxitjen e agroturizmit.

Vepra është financim i BERZH, BEI dhe BE-së me vlerë rreth 37 milionë euro.

Rruga e re me gjatësi 29 km vlerësohet një ndër segmentet me ndikimin më të lartë turistik që do të ndikojë ndjeshëm në lehtësimin e trafikut në qytetin e Vlorës. Ajo nis nga Rrethrrotullimi, në fund te autostradës Levan-Vlorë.

Në çdo 1.5 kilometër të kësaj rruge është parashikuar vendpushimi për automjetet. Me përfundimin e disa projekteve të rëndësishme infrastrukturore, e gjithë zona do të kthehet në një super destinacion turistik, me infrastrukturë të nivelit europian.