“Radio Prague”: Shqipëria, dashuria e re verore e çekëve?

2

Për disa dekada Shqipëria ishte një enigmë për çekët. Vitet e fundit, turizmi lokal në rritje ka filluar ta shohë atë si një destinacion tërheqës dhe ndoshta pak më të lirë se Kroacia!

Shqipëria është një vend evropian me dalje në Mesdhe, me hotele luksoze, dyqane dhe shumë kafene. Për shumë vite, vendi ishte i izoluar me vendim të pushtetarëve të saj!, shkruan në një artikull “Radio Prague International”.

Tomáš Svoboda, një shtetas çek që jeton në Shqipëri për shtatë vjet, na tregon për karakteristikat e këtij vendi, që magjepsi të famshmit Hanzelka and Zikmund, një dyshe aventurierësh çekë të njohur për udhëtimet e tyre.

Svoboda zotëron një zyrë këshillimore për Republikën Çeke, me pamje nga deti. Ai organizon ekskursione, udhëtime, shëtitje, madje edhe vizita në manastire. Turizmi çek në Shqipëri ka shënuar një rritje të madhe gjatë viteve te fundit.

Ndryshe nga ajo që ndodh në Kroaci, ku çekët shpesh mund të komunikojnë në gjuhën e tyre, shqipja është një gjuhë shumë e ndryshme, dhe shumë e vështirë për t’u zotëruar.

“Ka shumë dezinformata për Shqipërinë. Para së gjithash, pasi shpesh thuhet se është një vend shumë i pasigurt”, tha ai.

“Një pjesë e fajit i atribuohet romanit detektiv “Kthimi në Valbonë” (Návrat do Valbone) i shkrimtarit çek, Josef Habas Urban, i cili, përtej frymëzimit nga ngjarje reale, ai është një trillim absolut”, shtoi ai.

“E rëndësishme, është se pasi njihesh me Shqipërinë, e kupton se shumë çështje janë të ekzagjeruara”, theksoi Svoboda.

Asgjë nuk e lë në hije bukurinë natyrore të vendit. Jo vetëm sepse malet dhe deti janë kaq evidente, por sepse ka lumenj si Vjosa që, ndryshe nga shumica e atyre në Evropë, janë pothuajse të virgjër… në kuptimin që nuk janë ndërtuar diga apo hidrocentrale.

“Ajo që gjeta në Shqipëri ishte mbi të gjitha një natyrë mbresëlënëse. Udhëtarët tanë të famshëm Zikmund dhe Hanzelka, të cilët udhëtuan gjithë botën me “Tatra 87″, kur u kthyen nga një prej udhëtimeve të tyre të gjata, thanë se vendi më i bukur që kishin parë ndonjëherë në botë ishte Shqipëria”, tha ai.

Saranda, një qytet turistik që kufizohet me Greqinë veriore, vitet e fundit është kthyer mjaft në modë, për shkak të mbërritjes së disa anijeve turistike në portin e saj.

“E gjithë Shqipëria është e bukur, në varësi të asaj që kërkon, ka vende, për shembull, për ata që duan të jenë vetëm dhe të qetë. Nëse dëshironi male të larta dhe të bukura, mund të vizitoni Alpet Shqiptare, malet Prokletije në kufi me Kosovën”, tha ai.

“Nëse doni të vizitoni liqenet ose nëse preferoni detin mund të shkoni në Rivierën Shqiptare, mua më pëlqen për shembull, Vlora dhe Saranda”, shtoi ai.

“Në Durrës, qyteti i dytë më i madh në vend, ka hotele luksoze dhe një plazh shumë të mirë që është zakonisht më i vizituari”, tha Svoboda.

/ata.gov.al