Raporti i BB, MF: Qëndrueshmëri e ekonomisë shqiptare, rritja në 2023 ndër më të lartat në rajon

12

Ministria e Financave reagoi pas publikimit të raportit të “Pranverës 2024 për Europën dhe Azinë Qendrore”, nga Banka Botërore.

“Në seksionin për Shqipërinë, raporti vlerëson se “ekonomia shqiptare ka treguar një qëndrueshmëri të konsiderueshme ndaj goditjeve të njëpasnjëshme gjatë viteve 2019-2022, të cilat përfshinin tërmetin e vitit 2019, pandeminë dhe krizën ekonomike pasuese, si dhe pushtimin e Ukrainës nga Rusia. Politikat e kujdesshme makroekonomike mbështetën një rimëkëmbje të fortë ekonomike, me një rritje reale të PBB-së mesatarisht me 6.9 % në vitet 2021 dhe 2022, dhe PBB-ja e vitit 2022 tejkaloi nivelin e saj para pandemisë”, thotë MF.

Më tej, në vlerësimin e saj për Shqipërinë, BB thekson se “një faktor kyç në qëndrueshmërinë e Shqipërisë ndaj goditjeve ka qenë afërsia e saj me BE-në, që është një burim i investimeve dhe remitancave dhe një treg kryesor për eksportet e vendit. Turizmi është shfaqur si një nxitës kryesor i rritjes ekonomike, duke ndihmuar në përmirësimin e disbalancave të jashtme dhe duke kontribuar pjesërisht në një mbiçmim të qëndrueshëm të lekut në vitet e fundit.”

Banka Botërore vlerëson se kontribuesit kryesorë të rritjes në anën e ofertës ishin tregtia, turizmi dhe aktivitetet e pasurive të paluajtshme, të ndjekura nga ndërtimi dhe prodhimi i energjisë. Në anën e kërkesës, komponentët kryesorë që nxitën rritjen ishin kërkesa e brendshme private dhe eksportet neto.

BB vlerëson gjithashtu se punësimi u rrit me 1.2 për qind në terma vjetorë në tremujorin e tretë të vitit 2023, ndërsa rritja e pagave dhe punësimit nxitën pjesëmarrjen në forcën e punës (mosha 15+), e cila arriti në nivelin më të lartë prej 76.1 %.

Gjithashtu, BB konstanton se “duke marrë në konsideratë rritjen e fortë të PBB-së për frymë në vitin 2023, shkalla e varfërisë vlerësohet të jetë ulur me 1.8 pikë përqindjeje duke arritur në 21.7 %”.

Qeveria shënoi një pozicion të përmirësuar fiskal në vitin 2023, si rezultat i rritjes së fortë të të ardhurave si dhe shpenzimeve më të ulëta. Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin, të ardhurat personale dhe kontributet e sigurimeve shoqërore u rritën, duke reflektuar rritjen e pagës minimale së detyrueshme dhe rritjen e pagave në sektorin privat, theksohet më tej në raport.

Në parashikimet për vitin 2024, BB vlerëson se “rritja ekonomike pritet të mbetet e fortë në 3.3 %, në kontekstin e kushteve të shtrënguara financiare në tregjet ndërkombëtare dhe rritjes së kufizuar ekonomike në Evropë”, duke vlerësuar më tej se zgjerimi i aktiviteteve të turizmit dhe ndërtimit pritet të nxisin rritjen e eksporteve, konsumit dhe investimeve me ritme të ngjashme me nivelet para pandemisë.

Bilanci primar i Shqipërisë parashikohet të arrijë në 0.2 % të PBB-së në vitin 2024 dhe të qëndrojë në nivele të ngjashme pozitive në përputhshmëri me rregullin fiskal. Konsolidimi fiskal pritet të arrihet si nga ana e të ardhurave ashtu edhe nga ana e shpenzimeve. Borxhi publik pritet të bjerë më tej në 58.2 % të PBB-së në vitin 2024, dhe të vijojë rënien edhe në periudhë afatmesme, si rezultat i rritjes më të lartë në terma nominalë dhe arritjes së një bilanci primar pozitiv.

/ata.gov.al