Rekord absolut/ Ja shifra marramendëse që shpenzuan turistët gjatë verës në Shqipëri

8

Një milliard euro janë shpenzimet e turistëve në vendin tonë gjatë kulmit të sezonit turistik, në muajt korrik/gusht/shtator, tregojnë të dhënat më të fundit të Bankës së Shqipërisë. Kjo shifër përbën një rekord absolut historik në këtë drejtim. Kurrë më parë, shifra nuk i ishte afruar 1 mld eurove, e jo më ta tejkalonte atë. Saktësisht, për tremujorin e 3-të të vitit, të ardhurat nga udhëtimet në ekonominë shqiptare fiksohen pranë 1.06 miliardë eurove.

Rekordi i mëparshëm regjistrohej po gjatë tremujorit të tretë, gjatë vitit të kaluar, me 786 milionë euro, çka do të thotë se këtë vit, shpenzimet e turistëve në vendin tonë gjatë sezonit veror kanë qenë 35% më të larta se një vit më parë, dhe se rekordi i mëparshëm historik. Përgjatë vitit 2019, përpara pandemisë, shpenzimet fiksoheshin në 782 milionë euro, sinjalizojnë të dhënat. Deri në vitin 2015, shifrat e shpenzimeve të turistëve në Shqipëri përgjatë 9 muajve të para të vitit kanë qenë më të ulta se vetëm 3 muajt e këtij viti, sinjalizojnë të dhënat, e analizuara dhe përpunuara nga “Scan Intel”.

Përgjatë 9-mujorit të parë të këtij viti ndërkohë, shifra ngjitet në 2.2 miliardë euro. Përgjatë dy viteve të kaluara të marra së bashku, për të njëjtën periudhë kohore, kjo shifër rezulton të ketë qenë kaq sa 9 muajt e këtij viti, pranë 2.2 miliardë eurove.

Kujtojmë se edhe në tremujorin e dytë të këtij viti regjistrohej një rekord historik në këtë drejtim, me 722 milionë euro, si kurrë më parë gjatë kësaj periudhe kohore.