Rekord eksportesh, ja qarku që prodhon më shumë luleshtrydhe në Shqipëri

34

Kultivimi i luleshtrydhes, vitet e fundit ka marrë shtrirje në shumë zona të vendit.

Fillimisht rreth vitit 2018, luleshtrydhet janë mbjellë masivisht vetëm në qarkun e Fierit. Më pas gjeografia e prodhimit të frutit të ëmbël përfshiu edhe rrethin e Lushnjës, që ishte e dyta pas Fierit me 14% të prodhimit, ose e shprehur në peshë, ky qark prodhoi 391 tonë luleshtrydhe.

Ndërsa në qytetet e tjera prodhimi i luleshtrydhes arrinte në 15 ton në Durrës, 5 ton në Dibër dhe 3 ton në Elbasan.

Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, vitin e fundit, në rrethin e Fierit u mbollën 121 ha me luleshtrydhe dhe u prodhua 436 kv/ha, ndërsa eksportet u rritën në mbi 2 500 tonë në vit.

I gjithë qarku i Fierit ka prodhuar më shumë se 5 mijë tonë luleshtrydhe në 2019, të cilat kanë shkuar për konsum vendas, eksport dhe përpunim (kryesisht për reçel), sipas fermerëve.

Fermerët e zonës Kafaraj në Fier, ku kultivohet ekskluzivisht luleshtrydhja, shprehen se, viti 2021 është viti më i mirë, për prodhimin dhe eksportin e luleshtrydhes ku u shënuan shifrat më të larta, ndërkohë që sezoni ende nuk ka mbaruar.