Renditja e re/ Njihuni me universitetet më të mira në botë

194

Universitetet britanike “Oxford” dhe “Cambridge” mbeten në vendin e parë dhe të dytë respektivisht, në renditjen botërore të “Times” për universitetet, me institucionet amerikane që dominojnë 100-shen e parë të listës.

“Stanford” ruan pozicionin e tij si institucioni amerikan më i mirë, në vendin e tretë të renditjes së përgjithshme, bashkë me Institutin e Teknologjisë së Massachusettsit, MIT, që ndodhet në vendin e katërt, apo Institutin kalifornian të Teknologjisë, në vendin e pestë.

Sidoqoftë, Japonia ia ka kaluar Britanisë së Madhe duke u bërë vendi i dytë më i përfaqësuar në tabelën me 103 universitete, me Mbretërinë e Bashkuar që po jep shenja stanjacioni dhe rënieje modeste.

Kina kryeson rritjen në hemisferën lindore me një nga universitetet e saj që është bërë më i rëndësishmi në Azi për të parën herë në renditjen e 1.250 universiteteve të botës.

Universiteti “Tsinghua” i Pekinit ka lënë pas Universitetin Kombëtar të Singaporit, që deri më tani ka qenë institucioni kryesor në kontinent, duke u renditur i 22-ti, pas një ngjitjeje prej 8 vendesh.

Në total, 72 universitete kineze janë përfshirë në klasifikimin më të fundit, ndërkohë që një vit më parë ishin vetëm 63. Për sa i takon Europës, Gjermania ka performancën më të mirë me 8 institucione në 100-shen e parë, përfshirë “LMU” në Mynih, që renditet i 32-ti.

Universiteti i Hamburgut ka shënuar po ashtu rritje, ndërkohë që Franca ka në 100-shen e parë vetëm dy institucione, “PSL” të Parisit dhe Universitetin e Sorbonës. Holanda, në anën tjetër, ka 7 universitete në 100-shen e parë. Risia e këtij viti është Universiteti i Bagdadit në Irak, që për të parën herë është përfshirë në klasifikim.