Revista amerikane, “The Gazette”: Vizitoni Shqipërinë, vendi ballkanik me histori të pasur

10

Nga malet shkëmbore deri te vijat bregdetare me palma, ky vend ballkanik ka një histori të pasur.

Shqipëria është një vend në zhvillim e vendosur në bregun perëndimor të Gadishullit Ballkanik. Ndërsa shqipja është gjuha zyrtare, pothuajse të gjithë ata që takuam flisnin të paktën pak anglisht, shkruan Bailey Cichon në një artikull të botuar në revistën amerikane “The Gazette”.

Shumicën e kohës e kaluam në Tiranë. Ne vizituam Sheshin Skënderbej, ku është vendosur statuja e Gjergj Kastriotit, një komandant ushtarak, feudal dhe heroi kombëtar shqiptar që udhëhoqi luftën kundër Perandorisë Osmane në 1444.

Sheshi përmban një karusel të bukur dhe një park të vogël. Aty pranë ndodhet Xhamia e Et’hem Beut, e vetmja e mbijetuar e tetë xhamive të ndërtuara në Tiranë gjatë shekujve XVIII dhe IX.

Gjithashtu në shesh ndodhet Kulla e Sahatit e Tiranës, Muzeu Historik Kombëtar dhe Pallati i Kulturës, i cili mban Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe Bibliotekën Kombëtare.

Nëse vizitoni Tiranën, duhet të ngjiteni në malin e Dajtit me teleferikun “Dajti Ekspres”. Maja e malit ka një hotel, restorant dhe qendër konferencash.

Gjithashtu, mund të luani mini golf, të argëtoheni me patina dhe të hidheni me parashutë.

Është gjithashtu shtëpia e një kolonie lepujsh. Pasi të jeni argëtuar, mund të ktheheni në fund të malit në të njëjtën mënyrë që keni ardhur.

Ju nuk keni nevojë për një makinë në Tiranë, por ne ishim të lumtur që e patëm pasi na lejoi të udhëtonim në qytetin bregdetar të Durrësit.

Ujërat e detit Adriatik ishin një blu e ndezur dhe të ftohtë. Durrësi ka një sërë dyqanesh ku mund të zgjidhni nga produktet e furrës deri tek bakllavaja dhe akullorja. Ia vlen të ndaleni dhe të provoni diçka të re.

Sigurisht që ishim aty për garën e mundjes, e cila u mbajt në Olimpik Park.

Gara nuk shkoi sipas dëshirës tonë, por ishte një mundësi e shkëlqyer për të kaluar disa ditë në Shqipëri.

Ne ishim të rrethuar nga vizitorë nga Ukraina, Zvicra, Azerbajxhani dhe disa familje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ushqimi në Tiranë

Leku është monedha zyrtare në Shqipëri, por pranohen edhe euro. Një darkë për pesë persona ishte rreth 65 dollarë.

Një natë hëngrëm në Serendeville, një restorant Tex-Mex (me kuzhinë rajonale amerikane) që vlerësohet për cheesecake në Shqipëri.

Menuja thoshte: “Atëherë askush nuk mund të besonte se ëmbëlsirat mund të bëheshin me djathë … Në rastin më të mirë, të ftuarit tanë menduan se ishte një shaka e keqe.”

Gjithashtu, ju mund të porosisni produkte të freskëta nga shitësit ambulantë. Në Shqipëri nuk duhet të pini ujin e rubinetit. Të gjitha restorantet shërbejnë ujë në shishe.

Provova salsiçen tradicionale shqiptare, e cila bëhet me mish derr ose qengji. Ishte e këndshme dhe plot shije.

Byrekët e rrumbullakët të mbushur me djathë dhe mish janë ushqime të njohura për mëngjes, ndërsa mund t’i porosisni pothuajse kudo së bashku me bakllavanë.

Unë dhe partneri im vizituam një nga KFC-të e shumta në Tiranë.

Reklamat në rrugë shfaqnin “Dirty Louisiana Burger” por vendi ku hëngrëm nuk e ofronte atë. Në vend të kësaj, ne mund të zgjidhnim nga pulat e pjekura, hamburgerët dhe sallatat.

Për ëmbëlsirë ne morëm një akullore “Ben dhe Jerry’s” duke shijuar “një shije të shtëpisë larg shtëpisë”.

/ata.gov.al