Revista franceze “Air Info”: Gjithçka që duhet të dini për perlën shqiptare, Sarandën

10

Saranda është një qytet i bukur i vendosur në bregdetin jugor të Shqipërisë, që ofron plazhe që të lënë pa frymë dhe një trashëgimi të pasur kulturore, shkruan në një artikull revista franceze e udhëtimeve “Air Info”.

Gjithçka që duhet të dini për një qëndrim të paharrueshëm në Sarandë:

Kur të udhëtoni në Sarandë?

Saranda gëzon një klimë tipike mesdhetare me verë të nxehtë e të thatë dhe dimër të butë e të lagësht. Sezoni i pikut turistik në përgjithësi zgjat nga qershori deri në shtator, kur restorantet, baret dhe dyqanet janë të hapura dhe temperaturat arrijnë mesatarisht 26°C gjatë ditës.

Stina ideale: Pranvera

Për të shmangur turmat dhe për të shijuar një klimë më të freskët dhe më të këndshme, ju rekomandojmë të shkoni në pranverë, veçanërisht midis prillit dhe majit.

Në këtë periudhë të vitit, temperaturat janë relativisht të buta, me rreth 19°C-22°C dhe natyra është në lulëzim të plotë.

Mos harroni se numri i turistëve është më i ulët, duke ju lejuar të zbuloni bukuritë e Sarandës në një mjedis të qetë.

Fillimi i pranverës: Prilli

Prilli është një muaj veçanërisht i këndshëm për të shkuar në Sarandë, pasi temperaturat fillojnë të rriten dhe numri i turistëve mbetet i ulët. Ju ftojmë të shfrytëzoni rastin për të eksploruar vendet dhe atraksionet e shumta të qytetit pa “u mbytur” nga turmat.

Çfarë të bëni në Sarandë?

Ashtu si Vlora, edhe Saranda ofron një shumëllojshmëri aktivitetesh për të gjithë llojet e udhëtarëve.

Vizitoni vendet historike

Shqipëria është e pasur me trashëgimi kulturore dhe historike dhe Saranda nuk bën përjashtim.

Ndër objektet e paharrueshme për t’u vizituar në rajon, është zona arkeologjike e Butrintit.

Ky park kombëtar, i listuar si një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, është shtëpia e rrënojave të një qyteti të lashtë grek dhe romak, duke dëshmuar për një të kaluar të pasur me histori.

Le të mos harrojmë edhe Kalanë trekëndore veneciane!

Ky fortifikim mesjetar me pamje nga Gjiri i Sarandës ofron pamje mahnitëse të bregdetit shqiptar dhe ishujve fqinjë grekë. Gjithashtu vizitoni Kishën Ortodokse të Shën Nikollës.

E vendosur pranë qendrës së qytetit, kjo kishë e shekullit XVIII ia vlen të vizitohet për muralet e saj të ruajtura mirë dhe arkitekturën interesante.

Bëni banjo dielli në plazh

Plazhet e mrekullueshme të Sarandës janë një nga atraksionet kryesore turistike të qytetit.

Ju mund të merrni diellin dhe të notoni në ujërat e kristalta të detit Jon në plazhe të tilla si:

Plazhi i Pasqyrave:  Ky liman simpatik i fshehur është më pak i mbushur me njerëz dhe ofron një mjedis piktoresk për t’u çlodhur pranë ujit.

Plazhi i Ksamilit: i vendosur pak kilometra në jug të Sarandës, ky fshat i vogël bregdetar ka disa nga plazhet më të bukura në rajon, i rrethuar nga bimësi dhe ishuj të vegjël lehtësisht të aksesueshëm me varkë.

Zbuloni kuzhinën vendase

Kuzhina shqiptare është e pasur dhe e larmishme dhe Saranda nuk bën përjashtim. Ju mund të shijoni specialitetet vendase si byreku (petë të mbushura), tave kosi (qengji i gatuar në kos) apo edhe raki, një pije alkoolike tradicionale e bërë nga rrushi.

Restorantet e peshkut dhe ushqimeve të detit janë gjithashtu të shumta dhe në përgjithësi ofrojnë një përzgjedhje të shkëlqyer të peshkut të freskët nga peshkimi vendas.

Ekskursione rreth Sarandës

Përtej atraksioneve, Saranda ofron gjithashtu një pikënisje ideale për të eksploruar thesaret e fshehura të bregdetit jugor shqiptar dhe rajoneve fqinje.

Gjirokastra, një qytet historik

E vendosur rreth 1,5 orë larg me makinë nga Saranda, Gjirokastra është një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Një qytet që ia vlen të vizitohet për kështjellën e saj mbresëlënëse, rrugët me kalldrëm dhe shtëpitë tradicionale osmane që tërheqin vëmendjen.

Parku Kombëtar i Lagunës së Nartës

Ky rezervat natyror i vendosur rreth 2 orë me makinë nga Saranda është shtëpia e një shumëllojshmërie të llojeve të kafshëve, duke përfshirë flamingot rozë.

Gjithashtu parku ofron mundësi të shkëlqyera për të vëzhguar faunën dhe florën në një mjedis të qetë.

Riviera Shqiptare

Ju ftojmë të eksploroni bregdetin qiellor të Rivierës Shqiptare duke nisur nga Saranda.

Fshatrat piktoreske bregdetare si Himara apo Dhërmiu janë perfekte për të shijuar plazhet e izoluara dhe për të zbuluar natyrën e pacënuar të këtij rajoni.

Tani që keni të gjitha informacionet që ju nevojiten për të përgatitur qëndrimin tuaj, gjithçka që duhet të bëni është të fluturoni drejt Sarandës dhe të eksploroni këtë destinacion magjepsës!

Gjithashtu ju ftojmë të zbuloni qytetin bregdetar, Durrësin!

/ata.gov.al