Rezervat e arit të Bankës së Shqipërisë arrijnë vlerën më të lartë historike

82

Rezervat e arit të Bankës së Shqipërisë arritën në fund të korrikut vlerën rekord të 147 milionë eurove.

Statistikat e Bankës Qendrore tregojnë se rezervat e arit janë rritur me 73% krahasuar me një vit më parë. Rritja e vlerës së arit ka ardhur njëkohësisht nga zgjerimi i investimeve të bankës qendrore në këtë instrument, por edhe nga rritja e çmimit në tregjet ndërkombëtare.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, në intervalin kohor korrik 2019-korrik 2020, vlera e arit është rritur me rreth 32% dhe ky ka rezultuar fitimprurës si instrument i investimit të rezervës valutore të vendit. Aktualisht, një onz ar kuotohet në vlerën e 206 mijë lekëve, ose rreth 1660 eurove.

Ari monetar përbën tashmë 3.6% të rezervës valutore të vendit, ndërsa në muajin maj, kishte arritur peshën më të lartë specifike të regjistruar ndonjëherë, me 3.9% të totalit. Pas rritjes së fortë të rezervës valutore nga fondet e eurobondit në muajin qershor, pesha specifike e arit pësoi rënie të lehtë.