Rritja e pagave me 50 mijë lekë, flasin mjekët specialistë të poliklinikave: Ndihemi të vlerësuar

31

Personeli shëndetësor ka marrë pagat e reja me rritjen historike për mjekët specialistë.

Mjekët e poliklinikave të Tiranës janë shprehur entuziastë për pagat e reja me një rritje me 50 mijë lekë, duke e konsideruar vlerësimin më të madh ndër dekada.

“Jemi të nderuar që ndajmë me ju lajmin shumë të mirë për rritjen e pagës, ne kemi përfituar një rritje page me 50 mijë lekë të reja. Ky ka qenë një lajm shumë i mirë, për familjet tona, për ne personalisht, për fëmijët tanë, për shërbimin që ne ofrojmë, për faktin që më në fund u ndiem të vlerësuar”, tha mjekja okuliste Rezarta Shkurti.

“Dua të them që jam shumë i kënaqur për mbështetjen dhe suportin financiar qe po jep qeveria shqiptare i cili tanimë është një premtim i mbajtur dhe ne jemi shumë të kënaqur, por mbi të gjitha të motivuar për të shërbyer me pasion e përkushtim qytetarëve të Republikes së Shqipërisë”, tha mjeku kardiolog Elton Qeli.

“Jam shumë e lumtur në fakt për këtë rritje page që na është bërë, sepse kemi kaq vite dhe nuk na është bërë një rritje kaq e madhe”, u shpreh Dr.Mirela Hitaj.

“Për të thënë të drejtën të gjithë ne mjekët specialistë jemi gëzuar me rritjen e rrogës sepse kjo jo vetëm na jep më shumë dinjitet në punën tonë, por na afron dhe me pagat me tanë në rajon”, tha Dr. Rubin Topi nga Poliklinika e Specialiteteve Nr.1.

Nga rritja e pagave sipas planit në sektorin e Shëndetësisë përfitojnë mbi 22 mijë mjekë, infermierë, stafe administrative në strukturat shëndetësore. Ka hyrë në fuqi rritja e pagave me 50 mijë leke në muaj për mjekët specialistë si dhe rritja me 7% për mjekët e familjes dhe infermierët. Gjithashtu edhe rritja e pagës me 25-50% për punonjësit e administratës shëndetësore.

/ata.gov.al