Së shpejti nis puna për linjën hekurudhore Vorë-Hani i Hotit, ja si do financohet

157

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) pritet të bashkëfinancojë projektin për rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit, në kufi me Malin e Zi, 120 kilometra të gjatë.

Në një dokument përmbledhës të projektit, Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim bëri të ditur se përfituesi përfundimtar i kredisë në vlerën e 62.9 milionë eurove, do të jetë operatori shtetëror hekurudhor “Hekurudhat Shqiptare”.

“Projekti i rehabilitimit të hekurudhave do të bashkëfinancohet nga Banka Evropiane e Investimeve (EIB) dhe Bashkimi Evropian (BE) përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF)”, thuhet në dokumentin përmbledhës të projektit.

Kostoja totale e projektit llogaritet në rreth 267 milionë euro, ndërsa mendohet të përfundojë si miratim financimi në nëntor të këtij viti. Ndërtimi i këtij segmenti hekurudhor i konsideruar si pjesë e Rrjetit Kryesor të Ballkanit Perëndimor dhe një shtrirje treguese e Rrjeteve të Transportit Transevropian në rajon, e lidh Shqipërinë me këtë sistem duke ekspozuar dhe zhvillimin e saj ekonomik.

Transporti më i gjelbër dhe më i qëndrueshëm siç është ai hekurudhor promovon kalimin e modalitetit nga rruga në hekurudhë në Shqipëri.