Shifrat e INSTAT/ Energji nga drita e diellit, Shqipëria rrit pordhimin nga panelet fotovoltaike

24

Vitet e fundit, Shqipëria po diversifikon portofolin e investimeve për prodhimin e energjisë elektrike, duke qendruar gjithnjë në burime të rinovueshme. Pas kontratës së fundit të nënshkruar nga ministria e Energjetikës me konsorciumin francez që është shpallur fitues, i është hapur rruga ndërtimit të parkut fotovoltaik në Divjakë që do të prodhojë energji nga dielli.

Po ashtu, para pak ditësh është hapur edhe gara ndërkombëtare për ndërtimin e një parku tjetër, në Spitallë të Durrësit.

Kjo praktikë pritet të ndiqet edhe në zona të tjera të vendit në vijim, duke treguar në këtë mënyrë tendencën e investimeve në këtë sektor.

Veç ujit, nga burimet e rinovueshme të energjisë, Shqipëria prodhon energji vetëm nga dielli dhe investimet në këtë sektor kanë nisur prej vitesh në Shqipëri.

Por sa energji prodhon Shqipëria nga dielli aktualisht?  

Referuar të dhënave të publikuara nga INSTAT, rezulton se tendenca ka qenë në rritje. Shqipëria ka prodhuar më shumë energji të rinovueshme në 3 mujorin e tretë të vitit, krahasuar me periudhën korrik – shtator 2019.

Bilanci i energjisë elektrike, Instituti i Statistikave, tregon se në 3 mujorin e tretë të 2020-ës, është prodhuar 10.440 MWh energji e rinovueshme (panelet fotovoltaike).

Nga ana tjetër, për të njëjtën periudhë të vitit 2019, shifrat e Instat tregojnë se prodhimi ka qenë 7.431 MWh.

Sa i takon totalit të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike, baza vjen nga hidrocentralet publike, saktësisht 76.4%, ndërsa hidrocentralet private dhe koncesionare zënë 22.8% të prodhimit.

Hidrocentralet publike kanë shënuar një rritje të prodhimit të energjisë elektrike me 3.9%, ndërsa hidrocentralet private dhe koncesionare kanë ecur me ritme më të shpejta, duke rritur prodhimin e energjisë elektrike me 23.1%, krahasuar me tre mujorin e tretë të vitit 2019.

Nga ana tjetër, në korrik – shtator 2020, bilanci i Instat flet për një rritje me 8% të prodhimit vendas, krahasuar me periudhën korrik – shtator 2019.