Shifrat e INSTAT/ Mbi 2.8 milionë shtetas të huaj kanë hyrë në Shqipëri në 7 muaj

13

Mbi 2.8 milionë shtetas të huaj kanë hyrë në Shqipëri gjatë 7-mujorit të 2021, duke shënuar rritje me 2,4 herë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020.

INSTAT publikoi sot shifrat e hyrjeve të shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar.

Sipas INSTAT, numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri gjatë shtatëmujorit të 2021, është 2.846.881, duke u rritur me 2,4 herë, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020.

Në shtatëmujorin e 2021, nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Polonia ka pasur rritjen më të madhe me 4,9 herë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 4,3 herë, ndërsa uljen më të ndjeshme e ka pasur Greqia me 41,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020.

Ndërkohë, numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë shtatëmujorit të 2021, është 2.179.019. Ky tregues është rritur me 34,0 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.