SHIFRAT/ Konsumi shënon rritjen më të lartë në 3 vjet, turizmi shënon rekord të ardhurash

84

Konsumi i popullatës ka shfaqur shenja gjallërimi në vitin 2018, duke reflektuar efektet e rritjes së ndjeshme të numrit të turistëve që vizitojnë vendin.

Sipas të dhënave të INSTAT, në tremujorin e tretë të vendit, konsumi i popullatës u rrit me gati 4%, që është niveli më i lartë që nga tremujori i dytë i vitit 2016.

Turistët kanë shpenzuar për hotele, ushqime, pije, udhëtime, argëtim, apo dhe për blerjen e suvenireve të vendit të shqiponjave.

Sipas INSTAT, numri i vizitorëve të huaj që zgjodhën Shqipërinë për të pushuar u rrit me rreth 16 për qind në 2018-n, në raport me një vit më parë. Gjatë vitit 2018 rreth 5.6 milionë shtetas të huaj e vizituan vendin tonë për qëllime pushimi nga më shumë se 4.6 milionë turistë që erdhën më 2017.

Të dhëna të tjera të bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë tregojnë në periudhën janar-shtator, të huajt kanë sjellë në vend 1.47 miliardë euro, niveli më i lartë rekord i regjistruar ndonjëherë. Në raport me një vit më parë, kjo shumë është rritur me 12%. Vetëm në tremujorin e tretë, që përkon me kulmin e sezonit turistik në vend, turistët dhe të huajt shpenzuan në vend 863 milionë euro, me një zgjerim prej 16% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.