Shifrat/ Viti 2018, më i suksesshmi në histori përsa i përket eksporteve ‘Made in Albania’

68

Viti 2018 ishte viti më i suksesshëm në histori përsa i përket sasisë së eksporteve shqiptare. Një e dhënë e tillë u konfirmua ditën e sotme nga “INSTAT”, që publikoi shifrat përfundimtare për bilancin tregëtar të vitit të lënë pas.

Në vitin e lënë pas, eksportet e mallrave arritën vlerën 310 miliardë lekë, rreth 3 miliardë dollarë, duke u rritur me 13,7% krahasuar me vitin e mëparshëm. Lajmi i dytë i mirë është që përveç eksporteve, ekonomia shqiptare është duke mbuluar gjithmonë e më shumë nevojën vendase, në shumë sektorë të saj.

Kjo provohet nga fakti që nëse eksportet u rritën me 13,7%, importet gjatë vitit janë rritur me vetëm 2,4%. Reduktimi i defiçitit tregtar bën që eksportet shqiptare të mbulojnë sa 48,4% e importeve, nga vetëm 43% që ishte një vit më parë.

Në terma ekonomikë, një raport i tillë sjell një përmirësim të ndjeshëm të bilancit të pagesave, që do të thotë se gjithmonë e më pak euro (apo monedha të tjera ekuivalente) dalin jashtë vendit dhe gjithmonë e më shumë kapital qëndron në vend.

Një rekord absolut në vitin 2018 ka shënuar bujqësia. Ndërsa eksportet arritën rekordin e 320 milionë dollarëve, për herë të parë në më shumë se 20 vjet vërehet një rënie e importeve bujqësore, ndonëse e lehtë.

Diçka e tillë ndodh jo vetëm për shkak të rritjes së eksporteve, por edhe sepse gjithmonë e më shumë mallra të prodhuar në vend konsumohen në Shqipëri, duke ulur kërkesën për produkte të huaja.

Sektorë të tjerë që kanë njohur një rritje të rëndësishëm janë ato të mineraleve dhe hidrokarbureve, energjisë elektrike, prodhimit të materialeve të ndërtimit apo grupit të produkteve “tekstile dhe këpucë”.

Rritja më e madhe në terma absolutë është vërejtur me Kosovën, ku eksportet shqiptare arritën në pothuajse 270 milionë dollarë, nga vetëm 200 milionë dollarë të një viti më parë.

Rritje tjetër e ndjeshme është regjistruar me Italinë, partnerin tonë kryesor tregtar, Gjermaninë, Spanjën dhe disa vende të tjera të Bashkimit Europian.