Në 4 qershor, në dhomën e konferencave të Muzeut të ri Kombëtar Marubi, u zhvillua Konferenca
“Trashëgimia Kulturore – Motor Zhvillimi”, organizuar nga LEAD Albania ALUMNI në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro–Amerikan për Zhvillim dhe Ministrinë e Kulturës
Rijetëzimi i qendrave historike dhe ndikimi në zhvillimin e qendrueshëm ekonomik dhe shoqëror si dhe partneriteti publik-privat në trashëgiminë kulturore ishin temat qendrore rreth të cilave Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, Kryetari I bordit të Fondacionit, Michael Granoff dhe ambasadorja e Delegacionit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin, mbështetën fort idenë së kultura dhe trashëgimia kulturore nuk mund të jenë vetëm objekte soditëse por burim ekonomie dhe zhvillimi.
Në konferencë ishte e ftuar edhe Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi, e cila theksoi rolin e Shkodrës si qytet me tradita kulturore.
Në fjalën e saj Ministrja Kumbaro theksoi se Kultura ka kapërcyer fazën e emergjencës dhe sot diskutohet për zhvillim, për burim të ardhurash dhe për një strategji afatgjatë zhvillimi; se shkatërrimi i vlerave kombëtare, paligjashmëria është zëvendësuar nga miqtë e monumentit, nga shpëtimi I thesareve, nga restaurimet, nga menaxhimi I kontrolluar, nga dyfishimi i të ardhurave.
Kumbaro vuri në dukje se sot diskutohet për zhvillim, për cilësi, për ekonomi e kulturë, për rentabilitet. Kjo kërkon strategji bashkëpunimi dhe partneritet. Partneriteti publik-privat nën kontrollin përmbajtësor dhe restaurues të institucioneve përgjegjëse publike, është rruga në të cilën duhet të zhvillohet menaxhimi I trashëgimisë kulturore për të mos lejuar më të rrënohet, të harrohet dhe sidomos të shuhet si burim ekonomie.
Arta Dollani, drejtoreshë e Institutit të Monumenteve të Kulturës, Lorenc Bejko, Përgjegjës i Departamentit të Trashëgimisë Kulturore, Silva Breshani Drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore, Edmond Ahmeti, këshilltar pranë ministres së kulturës, si dhe të tjerë përfaqsues të Lead program trajtuan temat lidhur me administrimin e pasurive kulturore përmes partneriteti public-privat, të zhvillimit të qendrueshëm të tyre, të luftës kundër trafikimit të pasurive kulturore, të identitetit kulturor.
Më herët, Z. Granoff, Ministrja Kumbaro, Zj. Romana Vlahutin dhe Zj. Voltana Ademi zbuluan në mënyrë simbolike pllakatën e donatorëve të Muzeut Kombëtar i Fotografisë Marubi.
Burimi: Ministria e Kultures fb