Në Tiranë u zhvillua sot ceremonia e inaugurimit të përfundimit dhe vënies në punë të linjës së interkonjeksionit 400 kV mes dy vendeve. Projekti u financuar nga banka gjermane KfW, për pjesën e Shqipërisë kushtoi 29 milion euro ndërsa punimet në terren filluan Prillin e vitit 2014 dhe përfunduan në Qershor 2016.
Linja e interkonjeksionit 400 kV Shqipëri – Kosovë ka një gjatësi totale 241.1 km, nga të cilat 151.1 km shtrihen në territorin e Shqipërisë dhe 90 km shtrihen në territorin e Kosovës. Segmenti i parë i parë i linjës nga Tirana në Vaun e Dejës me gjatësi 80 km përfshin shtrirjen e qarkut të dytë në linjën ekzistuese Tiranë-Podgoricë dhe Segmenti i dytë i linjës konsiston në ndërtimin e një linje të re me një qark Vau i Dejës-Morinë me gjatësi 71 km.
Linja e Interkonjeksionit 400 kV Shqipëri-Kosovë ka dy përcjellës për fazë të tipit ACSR 490/65 mm 2. Përcjellësi i mbrojtjes nga goditjet atmosferike do të jetë i pajisur në brendësi me fibra optike, për qëllime të telekomunikacionit dhe shkëmbimit të të dhënave.
Ky projekt ka një impakt të rëndësishëm në rritjen e kapacitetit të shkëmbimit të energjisë elektrike midis dy vendeve dhe me vendet e rajonit, krijimin e mundësive më të mira tregtare për shkëmbime të energjisë dhe tranzite në rrjetin rajonal. Linja ndikon në krijimin e mundësive të shfrytëzimit optimal të burimeve të përbashkëta të prodhimit të energjisë elektrike duke minimizuar kostot dhe rritur eficencën e prodhimit. Vepra rrit besueshmërinë e operimit të sistemit elektroenergjetik të dy vendeve dhe atij rajonal. Kjo linjë redukton riskun hidrologjik në Shqipëri, ku prodhimi i energjisë elektrike është i bazuar tërësisht në hidrocentrale. Gjithashtu ndihmon në reduktimin e humbjeve të energjisë elektrike në rrjetin e transmetimit dhe përmirësimin e balancimit të rrjetit të transmetimit dhe manovrueshmërisë së tij.