Shqiptari Andi Hoxhaj, nderohet me çmimin “Pedagogu Ekselent i vitit” në Britani

41

Për vitin akademik 2020-2021 Universiteti Warwick i Britanisë së madhe ka vlerësuar pedagogët për ekselencë në mësimdhënie me çmimet “Warwick Award for Teaching Excellence”, mes të cilëve edhe një shqiptar, Dr. Andi Hoxhaj është studiues dhe pedagog i të “Drejtës Evropiane dhe Politikave të BE”, në fakultetin e Drejtësisë, pranë Universiteti Warwick.

Universiteti i Warwick në komunikatën e tij shkruan se gjatë periudhës së pandemisë, arsimit të lartë iu desh të përshtatet shumë shpejtë për të përmbushur sfidat e paparashikuara dhe shpesh të panjohura për të dhënë mësim. Më tej Universiteti Warwick shkruan se viti i Covid-19 bëri të nëvojshme qasje të ndryshme për arsimin e lartë dhe kërkoi metoda të reja të mësimdhënies për të përmbushur sfidat e arsimit në formë hibride përgjatë pandemisë. Por, kjo do të ishte e pamundur pa stafin ekselentë të pedagogëve dhe prandaj këtë vit ata menduan të shprehin mirënjohjen e tyre me çmimin “Warwick për Mësimdhënie Ekselente’, atyre pedagogëve të cilët bënë diferencën në jetën dhe përvojën e studentëve me praktikat e tyre mësimore dhe në mbështetjen e zhvillimit të tyre akademik në një vit të vështirë.

Universiteti i Warwick është shprehur se mënyra sesi pedagogët kanë mbështetur mësimdhënien gjatë pandemisë globale, do të sjellë një qasje të re në të ardhmen e mësimdhënies në arsimin e lartë.

Dr. Andi Hoxhaj ka përfunduar me sukses doktoraturën në mars të vitit 2017 dhe është autor i librit “Politikat e BE për luftën kundër korrupsionit”, publikuar në gjuhën angleze në 2020, si dhe autor i disa botimeve shkencore në fushën e jurispudencës, integrimit të BE, sundimit të ligjit dhe antikorrupsionit. Dr. Hoxhaj është shqiptari i parë, i nderuar nga Akademia e Shkencave Britanike me çmimin prestigjoz “British Academy Rising Star Engagement Award” në vitin 2018 për kontributin e dhënë në studimet kundër korrupsionit dhe sundimit të ligjit, me focus të veçantë në ballkanin perëndimor, Evropë dhe Britaninë e madhe./ dritare.net