Shtëpia muze e Ismail Kadaresë pushton francezen “Le Monde”

36

Shtëpia muze e Ismail Kadaresë pushton “Le Monde”, nga makina e shkrimit tek apartamenti me dy dyer nga jashtë

Ndonëse ka vetëm pak muaj që është hapur, muzeu më i ri në kryeqytet, shtëpia e Ismail Kadaresë ka tërhequr menjëherë vëmendjen e turistëve të huaj dhe të mediave botërore.

Gazeta prestigjioze franceze “Le Monde” i ka kushtuar një hapësirë të veçantë apartamentit të shkrimtarit të njohur shqiptar i kthyer tashmë në muze, i arreduar sipas stilit tipik të viteve 1960, ku ai jetoi dhe shkroi përgjatë orëve më të këqija të regjimit komunist (1944-1991).

“Ai nuk figuron ende në kartëmonedhat shqiptare (lek), por ai mishëron në vetvete kulturën e vendit të tij të vogël. Në Shqipëri, ku ai kalon gjysmën e vitit, Ismail Kadare është shkolluar dhe njihet nga gjithë, që nga shoferi i taksisë deri tek kamarieri i restorantit. Në pjesën tjetër të kohës, ai jeton pranë kopshtit të Luksemburgut, në Paris, ku erdhi në vitin 1990 dhe ku mori azilin politik në Francë.

Tashmë, në moshën 83 vjeçare, për shkrimtarin është një ngjarje për t’u shënuar çdo rikthim i tij në Tiranë. Në maj, u inaugurua shtëpia – muze “Kadare”. Bëhet fjalë për një apartament të arreduar sipas stilit tipik të viteve 1960, ku ai jetoi dhe shkroi përgjatë orëve më të këqija të regjimit komunist (1944-1991). Një shtëpi me dy dyer nga jashtë – njëra për të hyrë, tjetra për të ikur … (nuk është asnjëherë i tepërt përkujdesi në diktaturë) – e cila sapo është hapur për publikun”, shkruan “Le Monde” .

Prestigjiozja franceze i bën një përshkrim fantastik shtëpisë muze të Ismail Kadaresë e cila është rikonstruktuar tërësisht nga Bashkia e Tiranës, me qëllim hapjen e saj për dashamirësit e letërsisë shqiptare, por edhe për vizitorët e shumtë të huaj që vizitojnë kryeqytetin shqiptar.

“Vizitojmë zyrën e Ismail Kadare, muret e së cilës janë lyer me ngjyrë jeshile. Atje mund të vëmë re një oxhak, në cepin e të cilit ai ulej çdo mëngjes për të punuar, i shoqëruar veçse nga shkëndijat e zjarrit në vatër.

Po ashtu shohim makinën e shkrimit Hermes Baby, mbi të cilën u shtypën romanet e tij të mëdha për atë kohë, “Dimri i vetmisë së madhe”, “Prilli i thyer”, “Pallati i ëndrrave” … (1973, 1980, 1981, të gjitha librat e tij gjenden tek Fayard, që  ka publikuar veprat e tij të plota në dymbëdhjetë vëllime, midis 1993 dhe 2004).

Në bibliotekë, puna e tij e konsiderueshme, e përkthyer në më tepër se 40 gjuhë dëshmon pasionet e qëndrueshme, legjendat ballkanike në Antikitetin grek, gjë e cila i shërbeu shumë për t’iu kundërvënë diktaturës, nga disa vepra të Jean –Pierre Vernant apo Pierre Vidal Naquet tek veprat e Uilliam Shekspir apo të Balzak e deri tek klasikët ruse”, shkruan Florence Noiville, gazetari i “Le Monde”.