Shtëpitë në rrezik shembjeje dhe ato të amortizuara do të rikonstruktohen falas nga bashkitë

30

Familjet në nevojë, banesat e të cilave janë në rrezik shembjeje, janë tejet të amortizuara,  apo nuk plotësojnë kushtet minimale të jetesës do të përfitojnë fonde nga bashkitë.  Një vendim i Këshilli të Ministrave u jep të drejtën bashkive të përfitojnë grante konkurruese  për financimin e plotë ose të pjesshëm të projekteve që propozohen dhe zbatohen nga njësitë e vetëqeverisjes vendore për përmirësimin e kushteve të objekteve dhe banesave ekzistuese.

Do të jenë tre kategori objektesh që do përfitojnë nga këto grante, të cilat parashikojnë së pari: përmirësimin e kushteve të banimit dhe jetesës, deri në ndërtim të ri, në banesat në rrezik shembjeje; së dyti, përmirësimin e kushteve të banimit në banesat e amortizuara, për familjet që në përbërje të tyre kanë persona me aftësi të kufizuar, me qëllim që përmirësimi të lehtësojë shkallën e përshtatshmërisë e të plotësimit të nevojave të veçanta të banimit për ta; dhe së treti rregullimin e banesave individuale ose strukturave, të cilat nuk klasifikohen si banesë, për familjet që nuk sigurojnë të ardhurat e nevojshme për ta kryer vetë përmirësimin.