Si ndikon gjumi i natës në shëndetin e zemrës

19

Një hulumtim i zhvilluar nga një grup shkencëtarësh zbuloi se gjumi 6-7 orë natën mund të jetë më i dobishmi për shëndetin e zemrës.

Sipas hulumtimit të prezantuar në sesionin shkencor të shoqatës mjekësore të Kolegjit Amerikan të Kardiologjisë, personat që flenë 6-7 orë natën, në krahasim me ata që flenë më pak ose më shumë, kanë nivel më të ulët të rrezikut nga sulmi në zemër dhe goditja në tru.

Hulumtuesit kanë analizuar informacionet nga 14 079 persona të moshës së mesme, mes viteve 2005-2010 në SHBA, duke i ndarë pjesëmarrësit në tri kategori sipas kohëzgjatjes së gjumit të natës.

Më pas, hulumtuesit kanë ekzaminuar rrezikun e pjesëmarrësve për sëmundje të zemrës të lidhur me okluzion vaskular, duke përcaktuar se ka një lidhje të rëndësishme mes kohëzgjatjes së gjumit dhe shëndetit të zemrës.

Sipas mjekëve “duke marrë parasysh faktorët që shkaktojnë sëmundjen e zemrës, gjumi përgjithësisht neglizhohet”.

Në hulumtim u theksua, gjithashtu, edhe rëndësia e cilësisë dhe thellësisë së gjumit.