Si ti nxisni fëmijët tuaj që ta duan shkencën dhe pse jo të bëhen shkencëtare

20

A e duan femijet tuaj shkencen? Si ti beni qe ta duan ate? Për të frymëzuar fëmijët të duan shkencën, ka teknika të shumta. Ju mund ta beni kete pa i detyruar, mjafton qe ta  shëndrroni shkencën teorike në lojëra të bukura argëtuese.

1- Motivojini fëmijët me hapësirë për të eksploruar

Çdo prind do të dëshironte një dhomë gjumi të organizuar, larg pirgjeve të lojërave dhe rrëmujës. Sidoqoftë, një kompromis mund të bëhet nëse dëshironi t’i ushqeni fëmijëve dashurinë për dijen. Mësojuni fëmijëve, që edhe shkencëtarët e mëdhenj i organizojnë mendimet duke pasur tryeza të rrëmujshme me letra dhe shënime. Nëse fëmijëve u pëlqen të eksperimentojnë me element të ndryshëm në shtëpi, atëherë  ndihmojini në punët shkencore.

2- Motivojini fëmijët me lojëra të shëndetshme

Kur flasim për video lojëra, shumë prindër mund të jenë skeptik, nisur nga varësia pas tyre. Megjithatë, ekuilibri midis lojës kompjuterike dhe lojës fizike zhvillon mendjen dhe trupin. Kjo metodë u mëson fëmijëve se thelbi për një jetë të shëndetshme është një barasvlerë mes punës dhe lojës. Si prind, ndihmojeni fëmijën tuaj të zgjedhë videolojërat që ndihmojnë në rritjen e mendjes së tyre. Videolojërat si Minecraft e ndihmojnë fëmijën me idenë e ndërtimit dhe programimit. Së bashku, ju mund të gjeni lojëra të shëndetshme.

3- Motivojini fëmijët me shëtitje në natyrë

Si prindër, ju mund t’i krijoni mjedisin natyrorë si park argëtimi. Ecja në natyrë zgjon kureshtjen për bimët, procesin e fotosintezës, rritjen dhe zhvillimin, rëndësinë e tyre për krijimin e ajrit në Tokë, si dhe eksploron insektet, shpendët dhe gjallesat si pjesë të ekosistemit. Fëmija mëson ndërsa argëtohet.

4- Motivojini me bukurinë e shkencës duke thyer steriotipet e përgjithshme

Fëmijë shpesh krijojnë përshtypjet e gabuara për shkencën, nisur nga idetë e shoqërisë. Steriotipi se vajzat janë më pak të mira në shkencë krahasuar me djemtë duhet të ç’mitizohet. Si prindër, shpjegojuni fëmijëve se fizika është po aq e thjeshtë sa ndërtimi me blloqe, ose se biologjia është po aq prezentë sa frymëmarrja dhe sekretimi. Përmes shembullit fëmija kupton se po e përdor shkencën çdo minutë në përditshmëri.

5- Motivojini fëmijët me informacione nga zbulimet më të fundit shkencore 

Leximi shton interesin duke i lënë fëmijë të ndjekin lajmet e fundit rreth zbulimeve të mëdha shkencore. Enciklopeditë dhe librat për fëmijë mbi biografitë e shkencëtarëve janë librat e përshtatshëm për leximin para gjumit.