Sopranoja e njohur, Inva Mula koncert humanitar për të prekurit nga tërmeti

34

Sopranoja, Inva Mula, organizoi mbrëmë në Tiranë koncertin humanitar me pjesëmarrjen e rreth 50 artistëve të njohur brenda dhe jashtë kufijve, me qëllim mbledhjen e fondeve për të dëmtuarit nga tërmeti i 26 nëntorit, titulluar “Nesër është një ditë e re”.

Koncerti u mbajt në sallën pranë Katedrales së Kishës Ortodokse në Tiranë. Ftesës së sopranos iu bashkuan rreth 50 artistë nga fusha e muzikës dhe aktorë të shumtë të cilët përmes kësaj mbrëmjeje u solidarizuan për të mbledhur fonde në ndihmë të prekurve nga tërmeti.

Këngëtari Albano Karizi dhe tenori i njohur shqiptar Saimir Pirgu u bashkuan me nismën përmes videomesazheve, sikundër edhe fotografi Fadil Berisha dhe artistë të tjerë që jetojnë jashtë kufijve. Të pranishme në sallë ishin ambasadorja e Francës dhe ambasadorja spanjolle në Tiranë.

Pasi falënderuan të pranishmit, organizatorët njoftuan se nisma do të udhëtojë edhe në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut.

“Kjo mbrëmje bamirësie del nga zemra e neve si artistë. Ky publiku që na admiron ka nevojë të shikojë që ne si artistë jemi pranë jo vetëm me fjalë po konkretisht”, tha Inva Mula.

Ky koncert ishte një mbrëmje humanitare ku secili nga artistët përcolli mesazhin e vet për të prekur aty ku mundet në mënyrë që të mblidhen sa më shumë ndihma për të prekurit nga tërmeti.

“Ky është vetëm fillimi i një aksioni humanitar pasi nis një maratonë të gjithë zhanreve artistike”, tha Inva Mula.

Nisma është një lëvizje e hapur gjatë gjithë muajit dhjetor, që përkon dhe me muajin e festave. Organizatorët shpresojnë që më 31 dhjetor, kontributi i artistëve të arrijë aty ku ka nevojë, duke dëshiruar që të ndërtonin një shkollë apo një qendër shëndetësore.