Studimi/ Fëmijët që lexojnë kanë mirëqenie psikologjike dhe inteligjencë emocionale më të lartë

19

“Fëmijët që lexojnë për shkak se e shijojnë të lexuarit kanë mirëqenie psikologjike më të lartë; si dhe ata që lexojnë më shumë libra në vit kanë mirëqenie psikologjike dhe inteligjencë më të lartë emocionale”. Këto kanë qenë të gjeturat kryesore të raportit hulumtues “Efekti i të lexuarit në mirëqenien psikologjike dhe inteligjencën emocionale të Kosovës”, publikuar sot në ambientet e Qendrës “Libart”.

Për gjashtë muaj me radhë organizata ETEA, Qendra për Hulumtime Psiko-sociale dhe Mjekësore (QHPSM), dhe Qendra për Afirmimin të të Rinjve (CSAY), kanë punuar në realizimin e këtij raporti hulumtues, të gjeturat e së cilit kontribuojnë në fushën e edukimit dhe psikologjisë.

Ky studim thekson rëndësinë që të lexuarit ka në zhvillimin mendor te fëmijët. Pjesëmarrës në projekt kanë qenë rreth 980 nxënës të klasave 6-9 të moshave 10-15 vjeç, dhe hulumtimi është shtrirë në 68 shkolla të 20 komunave të Kosovës.

Rezultatet tregojnë se fëmijët që lexojnë më shumë libra dhe janë të regjistruar në bibliotekë gëzojnë mirëqenie psikologjike dhe inteligjencë emocionale më të lartë.

Leximi duhet të promovohet si diçka që nxit kënaqësi dhe kjo duhet të fillojë nga mosha e hershme, më saktësisht para se të fillojnë procesin mësimor.