Të dhënat/ Nga Holanda tek Zvicra, ja investitorët kryesor të huaj në Shqipëri për 2020

24

Holanda është edhe për këtë vit investitori më i madh i huaj në Shqipëri.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për 9-mujorin e 2020 investimet holandeze arritën vlerën e 184 milionë eurove, vlerë kjo që përbën rreth 27% të fluksit total të investimeve të huaja gjatë periudhës.

Investimet holandeze lidhen në pjesën më të madhe kompaninë Statkraft Markets BV, pronare e shoqërisë Devoll Hydropower. Megjithëse kompania mëmë Statkraft është norvegjeze, kontrolli i Devoll Hydropower bëhet përmes një shoqërie të regjistruar në Hollandë. Për këtë arsye, zyrtarisht investimet e kësaj ndërmarrjeje në Shqipëri figurojnë si holandeze.

Investitori i dytë më i madhe dhe këtë vit është Zvicra, me 164 milionë euro ose 8.6% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ecuria e investimeve zvicerane përgjithësisht ka qenë e lidhur me investimin e gazSjellësit TAP, shoqëri shumëkombëshe por e regjistruar në Zvicër.

Italia është investitori i tretë më i madh, me një fluks total prej 77 milionë eurosh gjatë 9 muajve të këtij viti. Ndryshe nga investimet zvicerane apo holandeze, të përqendruara në pak ndërmarrje dhe sektorë strategjikë, investimet italiane janë më të shpërndara nga këndvështrimi sektorial, por përqendrohen sidomos në degët e shërbimeve, përfshi banka, kompani call center, etj.

Në rritje për këtë vit paraqiten investimet turke, që për nëntë muaj kishin vlerën e 69 milionë euro ose 60% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërmarrjet më të rëndësishme turke në Shqipëri janë grupi Çalik te Banka Kombëtare Tregtare dhe BKT, kompania e ndërtimit Limak dhe ajo energjetikës Ayen Enerji.

Rritje të lehtë këtë vit shënuan edhe investimet austriake, që arritën në 39 milionë euro, tre milionë euro më shumë krahasuar me një vit më parë. Investimet austriake në Shqipëri janë të përqendruara sidomos në tregun e sigurimeve, me grupet Uniqa dhe Vienna Insurance Group dhe në sektorin e ndërtimit, me kompaninë Strabag.