“The Sun” artikull për Shqipërinë, ja plazhet që duhen vizituar

8

Teksa stina e verës është gati të trokasë shumë mund të jenë duke menduar se ku t’i kalojnë pushimet e tyre.

Për këtë, gazeta “The Sun” ka vendosur t’u vijë në ndihmë lexuesve të saj  duke rekomanduar edhe një herë tjetër rivierën  shqiptare. Për t’u siguruar  që pushuesit  të kalojnë  pushime të mrekullueshme e përditshmja britanike ka përpiluar një listë të vendeve më të mira për t’u vizituar në Shqipëri. Ndër plazhet e spikatura të rivierës së bukur shqiptare janë ato të Vlorës, Dhërmiut dhe Sarandës.

Në qytetin e Vlorës, klima  është mesdhetare, me temperatura mesatare midis 24C-31C përgjatë muajve të verës. Më në jug të vijës bregdetare është Dhërmiu që ka një plazhet më të njohura të vendit tonë.

Këtu vizitorët do të mund të gjejnë plazhe me ujëra të kristalta dhe me rërë të bardhë.

Qyteti i Sarandës ka më shumë se 300 ditë me diell në vit, me temperatura maksimale rreth 34C në muajt e verës. Është i njohur për ujërat e tij blu të thellë, si dhe për qytetin antik të Butrintit, një vend i trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Gjithashtu është qyteti më i afërt me ‘Syrin e Kaltër’ një burim uji aq i pastër, sa syri i njeriut mund të depërtojë deri në 50 metra.

Vlerësimi i gazetës britanike vjen përpara fillimit të sezonit turistik, i cili këtë vit ka si sfidë tërheqjen e sa më shumë vizitorëve.