Tregu u rrit në 85 shtete/ Mbi 80% e prodhimit bujqësor “Made in Albania” të serrave eksportohet

34

Shqipëria konkurron fuqishëm me eksportet bujqësore, tani me ardhjen e sezonit të pranverës dhe afrimin e pikut të prodhimit.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, bën të ditur se vetëm në këto vitet e fundit eksportet bujqësore shqiptare janë mbi dyfishuar, ndërsa të ardhurat nga eksportet kanë prekur shifrën treshifrore gjatë vitit 2020.

Mbi 80% e prodhimit bujqësor në serra eksportohet në tregjet e huaja, kryesisht në vendet europiane, ku dhe kërkesa sa vjen e rritet. Ndërsa është rritur në 85 shtete tregu i eksporteve nga 75 që ishte dy vite më parë. Është shtuar interesi i shteteve si Rumania, Bullgaria, Republika Çeke, Ukraina, Gjermania e Suedia, për prodhimet bujqësore “Made in Albania”.

MBZHR thekson se është shtuar edhe numri i fermerëve që prodhojnë kryesisht për eksport, të cilët po certifikojnë prodhimet bujqësore me GlobalGAP dhe po kultivojnë sipas kërkesës së eksportuesit.

Taksat zero për inputet dhe makineritë bujqësore, si dhe rritja e mbështetjes financiare për bujqësinë, po nxisin fermerët të shtojnë sipërfaqet e mbjella me kultura bujqësore dhe veçanërisht në serra që sigurojnë prodhimin gjithëvjetor.