Ura e Vashës në Mat, vijon puna për restaurimin e kryeveprës së shekullit XVIII

18

Në Urën e Vashës, e ndodhur mbi lumin Mat mes Klosit dhe fshatit Guri i Bardhë, 200 m nga rruga e Arbrit, po vijon puna për restaurimin e saj.

Projekti i miratuar në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve parashikon ndërhyrje restauruese dhe konservuese në elementët konstruktivë të urës.

Kjo urë është ndërtuar në fillim të shek.XVIII si vepër bamirësie nga Haxhi Hajrulla Skura. Ajo mbart vlera të mëdha historike por edhe arkitektonike, për më tepër në një peizazh natyror të mrekullueshëm.

Ura e Vashës është ndërtuar me gurë e llaç gëlqeror dhe ka hark në krahun e djathtë dhe një dritare shkarkuese. Gjithashtu, ura ka qemer të dyfishte. Këmbët e urës janë vendosur mbi dy brigje shkëmborë. Gjatësia e  saj  është 11 m, lartësia  nga sipërfaqja e ujit është 7m, gjerësia 2.8m dhe largësia mes dy këmbëve është 7m.

Sipërfaqja e urës është shtruar me kalldrëm me gurë lumi, llaç gelqere dhe rasa guri.