Avioni supersonik i NASA-s, një vepër e jashtëzakonshme teknologjike, është drejt përfundimit. Mjeti fantastik i cili do të kryejë udhëtime të shpejta ajrore, quhet X-59 Quiet SuperSonic Technology, pasi parashikohet të arrijë të fluturojë me një shpejtësi deri në 1728 km/h, por përsëri do të jetë tepër i qetë. Për krahasim, shpejtësia e zërit është 1234 km/h.
Në një video të shkurtër të postuar në YouTube, NASA tregon ecurinë e punës për ndërtimin e avionit, të cilin po e ndërton në bashkëpunim me kompaninë amerikane Lockheed Martin. I gjithë projekti po realizohet me fondet e NASA-s, plot 247 milionë dollarë, ndërsa avioni parashikohet të jetë gati për fluturimet testuese në vitin 2022.
Projektuesit vlerësojnë se X-59 mund të ngrihet në një lartësi prej 16 kilometrash nga toka. Ai do të jetë 28,6 metra i gjatë, ndërsa krahët do të hapen në gjatësinë prej gati 9 metrash.