VIDEO/ Prezantohet programi i punësimit 1-vjeçar për të papunët, kategoritë që mbështeten

61

Mund t’i ndodhë kujtdo të humbasë vendin e punës, të mos gjejë një pozicion që i përshtatet profilit të tij, apo që integrimi në tregun e punës të jetë i vështirë.

Për të gjithë ata punëkërkues ka një rrugëdalje, që është Programi i Punësimit që zbatohet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit. Një program për punësim 1-vjeçar i cili synon të përshtatë nevojat e individëve të papunë me kërkesën e punëdhënësit duke i subvencionuar ato.

Për të punësuar këta punëkërkues, punëdhënësit subvencionohen me financim deri në 12 paga. Për t’ju ardhur në ndihmë personave që kanë pengesa të tjera për të filluar punë, ky program mendon edhe më shumë, duke ofruar subvencionim për shpenzimet e transportit dhe ndjekjen e çerdhes ose kopshtit të fëmijëve në ngarkim.

Për personat me aftësi të kufizuar, programi subvencionon edhe përshtatjen e vendit të punës.

Me 4 programe të dedikuara të papunëve: programi i punësimit, formimit në punë dhe praktikave profesionale; programi i vetëpunësimit; programi i punëve publike në komunitet; si dhe programi i punësimit të personave të dalë pa punë si pasojë e COVID-19, punëkërkuesve të papunë u ofrohet mundësi për hyrje në tregun aktiv të punës.

Zyrat e Punësimit ndërhyjnë direkt për të nxitur dhe mbështetur krijimin e vendeve të reja të punës duke bashkëpunuar me punëdhënësit dhe nëpërmjet subvencionimit të tyre. Për Programin e Punësimit mund të aplikohet online në e-Albania.