Viti 1929, kush është vajza e parë shqiptare që u diplomua në Amerikë (FOTOT)

89

Vajza e parë shqiptare që u diplomua në Amerikë ishte Dhimitra Tsina. Ajo i përfundoi studimet për mjekësi në Universitetin e Bostonit më 1929 dhe diplomën e mori të martën me 18 Qershor 1929. Njoftimin në atë kohë e ka dhënë gazeta “Dielli” organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës ”VATRA” në numrin e saj 5084(877), qershor 1929. Kryeredaktor i Gazetës në atë kohë ishte Aqile Tasi.

Diplomimi në mjekësi i së parës vajzë shqiptare në SHBA, dhe jo vetëm, përcillet nga shqiptaret si një arritje e madhe e emancipimit dhe shkollimit të femrave shqiptare.

Gazeta “Dielli” në kronikën e kohës sjell edhe këtë hollësi:

“Megjithëse Dr. Tsina kishte të drejtë që pas diplomimit të hapte zyrë mjekësie kudo në Amerikën e Veriut, meqënëse provimet i kreu me sukses përapara se të përfundonte viti shkollor në Universitet, këtë mot ajo do të hyjë për praktikë në “New England Hospital for Women and Children.

Pas ca kohe praktikë në SHBA, zonjusha Tsina ka nder mend të shkojë në Shqipëri që t’i shërbejë vendit të saj”.

Doktoresha Dhimtra Tsina është shumë e njohur për vatranët e vjetër përmes gazetës “Dielli”. Ajo shpesh ka botuar shkrime mjekësore, këshilla, dhe ka trajtuar cikle të tëra shkrimesh për problemet mjeksore, vecanërisht për gratë dhe fëmijët.

Dr. Dhimtra u specializua për gjinekologji. Ajo u martua me Dr. Andrew Elia, i cili kishte shërbyer si komandant në Marinën e SHBA-së. Ai ishte oficer-mjek, në një anije furnizimi gjatë Luftës së Dytë Botërore.