6 vjet më parë, kur Majlinda bëri gjithë botën të flasë për Kosovën

15

Para gjashtë vitesh, më 7 gusht 2016 e gjithë bota po fliste për Kosovën. Xhudistja Majlinda Kelmendi shkroi historinë, duke siguruar medaljen e parë të artë olimpike për Kosovën. Xhudistja pejane u tregua dominuese ndaj konkurrenteve, duke i fituar raundet një e nga një, për të mposhtur në finale, italianen, Odette Giuffrida.

Kosovarja në kategorinë 52 kg fillimisht mundi në gjysmëfinale, japonezen Misato Nakamura, e cila më herët eliminoi në çerekfinale xhudisten ruse, Natalia Kuziutina.

Majlinda po ashtu mposhti në çerekfinale kundërshtaren, Christianne Legentil. Fitoren e parë e arriti për vetëm 25 sekonda ndaj zviceranes, Evelyne Tschopp.

I gjithë opinioni botëror sportiv dhe në Kosovë foli për këtë arritje historike të Kosovës qysh në debutim në Lojërat Olimpike.

Një numër i madh i mediave ndërkombëtare i kanë dhënë hapësirë të madhe paraqitjes së Majlinda Kelmendit në Lojërat Olimpike në Rio de Zhaneiro.

Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova ndoqën të njëjtën rrugë dhe i sollën të njëjtin sukses Kosovës me dy të arta të tjera në xhudo.