Vlera e arsimit dhe diturisë

1125

Nga Florian Hoti

“Dituria është gjëja më e rëndësishme, prandaj fito dituri. Edhe sikur të humbasësh ato që ke, fito dituri” –Solomoni.

“Çdo njeri ka të drejtën e arsimimit” -thuhet në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, miratuar nga OKB. E drejta për t’u arsimuar dhe për të fituar dituri ka një rëndësi të madhe jo vetëm për individin që e gëzon dhe e shfrytëzon këtë të drejtë, por edhe për mbarë shoqërinë. Arsimimi ka për qëllim të zhvillojë në mënyrë të plotë përsonalitetin e njeriut, duke e bërë atë të vlefshëm për shoqërinë.

Njerëzit që fitojnë dituri, kulturë e sjellje qytetare moderne, janë të aftë të krijojnë një shoqëri të përparuar demokratike, në të cilën toleranca, drejtësia dhe mirëkuptimi do të jenë kryefjala. Të fitosh dije, do të thotë të shkosh nga e panjohura te e njohura, nga e thjeshta te e përbëra, nga e afërta deri te subjektet më të larta. Do të thotë t’i njohësh gjërat në brendinë e tyre, të njohësh atë që është e dobishme, dhe me dobi nuk kuptojmë një përparësi materiale, por mbi të gjitha një të mirë morale.

Shkolla është institucioni kryesor që merret me përftimin e dijes.Të mësuarit është mjet për edukimin e vlerave dhe zhvillimin e mendimit kritik, logjikës morale dhe edukimin ndërkulturor. Të mësuarit duhet të përfshijë zhvillimin e ndërgjegjshëm të aftësive të nxënësve dhe formimin e vlerave personale të tyre, duke i edukuar ata me tolerancen dhe vlerat demokratike.

Por, duhet shtuar se disa nga këto vlera merren nga institucione si familja dhe shoqëria njerëzore i transmeton ato si parime qytetare. Sipas Comenius:  “Qe kur lind njeriu është i rrethuar nga bota e jashtme, të cilën ai e njeh pak e nga pak me anën e shqisave. Kjo eksperience e parë quhet ‘schola naturalis seu physica’. E dyta është më e përparuar ‘schola meta physica’, ku mësuesit nuk janë jashtë nesh por brenda nesh ku vetëm arsyeja mund të na udhëheqë”.

Në transmetimin dhe thellimin e dijeve shkolla nuk duhet t’i përgatisë njerezit vetëm për funksion, por duhet të zgjerojë horizontet dhe lirinë njerëzore. Arsimimi duhet të të mësojë të mendosh dhe jo të japë zgjidhje të gatshme.

Jean Piaget do të theksonte se “…qëllimi kryesor i arsimit është të krijojë njerëz që janë të aftë bëjnë gjëra të reja, jo thjesht të përsërisin ato që kanë bërë brezat e tjerë. Të formojë mendje kritike që të mund të verifikojnë dhe jo të pranojnë çdo gjë që u jepet”.

Siç thotë dhe Bibla: “Mësoje të drejtin, dhe ai do ta rritë diturinë e tij”.

Botuar te Lissalba 2018