25 sipërmarrje shqiptare janë eksportueset kryesorë të bimëve mjekësore dhe aromatike në botë

21

Në Shqipëri kultivohen mbi 330 lloje bimësh mjekësore dhe aromatike, që janë një vlerë e shtuar në eksportet bujqësore shqiptare.

Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ky sektor në vendin tonë numëron mbi 60 sipërmarrje, ndër të cilat 25 janë eksportueset kryesorë të bimëve mjekësore dhe aromatike në botë.

Të paktën 95% e gjithë prodhimit orientohet drejt eksportit, ndërsa në vitin 2020 këto eksporte llogariteshin në vlerën 44 milionë euro.

MBZHR bëri të ditur se, 32 % e eksporteve të këtij grupi orientohen drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe po kaq edhe drejt Gjermanisë, në Turqi rreth 10 % dhe po kaq edhe në Francë. Shumica e prodhimit bëhet nga mbledhja e gjerë nga individë të pavarur çka përbën 80 %, kurse pjesa tjetër është e kultivuar.

Ky sektor punëson mbi 90,000 punonjës, 10 % e të cilëve janë gjithashtu të angazhuar në kultivimin e bimëve në një sipërfaqe prej mbi 6000 hektarë. Sipërmarrjet e këtij sektori po rrisin investimet edhe për përpunimin e bimëve mjekësore, duke shtuar vlerën e eksporteve.