INSTAT: Volumi i shitjeve në tregtinë me pakicë, rritje me 4.7 %

0

Volumi i shitjeve në tregtinë me pakicë shënoi rritje me 4.7 %, krahasuar me tremujorin e parë 2022. Të përshtatura sezonalisht shitjet në volum janë rritur 0.9 %, krahasuar me tremujorin paraardhës.

Në tregtinë me pakicë, pa përfshirë tregtinë me pakicë të hidrokarbureve, volumi i shitjeve në tremujorin e parë 2023 është rritur me 4.4 %, kundrejt tremujorit të parë të vitit 2022.

Në grupin “ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, volumi i shitjeve është rritur 3.9 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022.

Volumi i shitjeve, për grupin “artikuj jo-ushqimorë në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara”, është rritur 5.1 %, kundrejt të njëjtës periudhë të vitit paraardhës.

Në grupin “tregti hidrokarbure në njësi tregtare të specializuara“, volumi i shitjeve është rritur me 5 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022.

Në ndryshimin vjetor prej 4.7 %, grupi “tregti me pakicë e hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara” ka kontribuar me 1.9 pikë përqindje.

Grupi “artikuj jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara” me 1.5 pikë përqindje dhe grupi “ushqime, pije e duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara” me +1.3 pikë përqindje.

/ata.gov.al