Sporti dhe dieta e shëndetshme, miqtë e vërtetë të shëndetit metabolik

27

Të ushtrosh rregullisht sporte dhe të mbash një dietë ushqimore të shëndetshme në moshën e mesme mund të jetë çelësi për arritjen e shëndetit optimal kardiometabolik më vonë gjatë jetës, sipas një studim të botuar në “Journal of the American Heart Association”, i kryer nga Universiteti i Bostonit.

Studiuesit analizuan të dhënat nga 2 379 të rritur dhe vunë në dukje se kombinimi i këtyre dy rekomandimeve gjatë moshës së mesme shoqërohet me mundësi më të vogla për të pasur sindromë metabolike dhe për të zhvilluar gjendje serioze shëndetësore.

Ata që ndoqën vetëm rekomandimet e aktivitetit fizik patën 51% më pak gjasa të kishin sindromë metabolike.

Ata që iu përmbajtën udhëzimeve dietike i kishin 33% më të ulëta mundësitë, kurse ata që ndoqën të dy udhëzimet kishin 65% më pak gjasa për të zhvilluar sindromën metabolike.

“Profesionistët e kujdesit shëndetësor mund t’i përdorin këto rezultate për t’u promovuar dhe theksuar më tej pacientëve të tyre përfitimet e një diete të shëndetshme dhe një programi të rregullt ushtrimesh për të shmangur zhvillimin e kushteve të shumta shëndetësore kronike”, shpjegon autorja e studimit, Vanessa Xanthakis.