4.1 milionë euro fond për financimin e fermerëve, ja kushtet për të përfituar

31

4.1 milionë euro është fondi total i grantit që financon programi IPARD II për fermerët, në thirrjen e 4-t që ka hapur aplikimet në 10 dhjetor dhe vijon deri në 25 shkurt 2022.

Agrobizneset dhe individët e interesuar për të përfituar grante përmes thirrjes së katërt të programit IPARDII, duhet të nisin aplikimet me planet e biznesit dhe plotësimin e dokumentacionit përkatës.

Fokusi i thirrjes së katërt janë: diversifikimi i fermave dhe zhvillimi i biznesit, me orientim tek Turizmi rural dhe i Natyrës, punimet e artizanatit dhe industria e manifakturës dhe Prodhimi i energjisë së rinovueshme.

“Një aplikant mund të përfitojë më shumë se një projekt investimi, por totali i kostove të pranueshme të investimeve për aplikant, për këtë masë nuk duhet ta kalojë vlerën prej 600,000 Euro për të gjithë kohë zgjatjen e periudhës së programit. Përqindja e mbështetjes publike është e barabartë me: 65% të totalit të kostove të pranueshme të investimit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

MBZHR bën të ditur kriteret e pranueshmërisë të aplikueshme për masën 7 që IPARD II në  thirrjen e 4-t.

Kështu një kriter është ndërtimi apo përmirësimi i pasurive të paluajtshme, deri në masën e vlerës së tregut të pasurisë.

Një tjetër është blerja e makinerive dhe pajisjeve të reja, përfshirë programe kompjuterike, deri në masën e vlerës së tregut të pasurisë.

I treti është ai që kostot e përgjithshme që lidhen me shpenzimet e investimet si p.sh. tarifat e konsulencës të tilla si ato për arkitektë, inxhinierë etj., studime fizibiliteti, përgatitja e planit të biznesit, do të jenë të pranueshme për t’u rimbursuar deri në një tavan prej 12 % të kostove të përcaktuara. Maksimumi i shpenzimeve për përgatitjen e planit të biznesit duhet të jetë 4 % i kostove të përmendura pa e kaluar vlerën e barabartë me 5000 euro.

Së katërti, kostot e përgjithshme konsiderohen të pranueshme nëse projekti të cilit i përkasin është përzgjedhur dhe është kontraktuar prej AZHBR. Aplikanti duhet të provojë pronësinë mbi tokën/ndërtesën ose ndërtesat të lidhura me investimin ose të drejtën e përdorimit me afat të paktën 10 vjet që nga data e dorëzimit të aplikimit. Janë të pranueshme vetëm shpenzimet e bëra pas firmosjes së kontratës së grantit ndërmjet marrësit të mbështetjes dhe AZHBR (me përjashtim të kostove të përgjithshme për shpenzimet e investimit përkatës).

Së pesti, projektet e investimeve mbeten të pranueshme për t’u financuar nga BE-ja në të ardhmen, me kusht që të mos i nënshtrohen modifikimeve thelbësore brenda pesë vitesh nga pagesa e fundit e AZHBR.