49 vite duke lustruar këpucë në Tiranë, njihuni me Qaniun: E quaj veten piktor, ja bakshishi më i madh që kam marrë

421

Që prej moshës 15 vjeçare, Qani Berati nuk i është ndarë punës së lustraxhiut. Thotë se është jeta për të, e deri sa fuqia t’i shterojë nuk do të ndalet së ushtruari profesionin që e trashëgoi nga babai, e me të cilin siguroi bukën e përditshme.

“Edhe po të më ofrojnë punë tjetër, unë nuk e lë dot se e kam në gjak këtë punë. Deri ditën e fundit që do kem fuqi unë këtu do të rri. Kam punuar dhe në punë shteti, roje dhe kam punuar dhe këtë punë. Kur kam filluar? 15 vjeç. Punoja me babain. E ndihmoja. Punoja një ore ose dy orë. Ka qenë kioska tek bashkia”, tha lustraxhiu, Qani Berati.

Përgjatë 49 vitesh, 64 vjeçari ka kaluar nëpër duar me mijëra këpucë, e gjëja më e vlefshme që ka fituar thotë se është mirënjohja e klientëve të tij. Shumë prej tyre janë edhe politikanë.

“Nëse një piktor punon me penel, unë pikturoj me sfungjer. Jam piktor i kësaj pune. Çfarë respekti më bëhet këtu, ti nuk e imagjinon dot. Këtu kam kaluar deputet, presidentë”, tregon ai.

Shprehet se puna ka rënë krahasuar me vite me parë, por ata që kanë mbetur, janë klientët besnikë.

“Unë punoj 8 orë në ditë. Në tre e mbyll. Këtu tek pedonalja prehet puna, lëvizjet. Kur është shi e ftohtë nuk dal më. Nuk ma përballon mosha se nuk rrihet. Punonim deri në 9 të darkës. Dilnin çunat e rinj, u vishnin, u pispillosnin. Puna ka rënë dhe me çmimet që janë marramendëse”, tregon Qaniu.

Vlerësimi që merr për një lyerje këpucësh është modest, por nuk mungojnë as shpërblimet e majme.

“Një lyrje këpucësh kushton 150 lekë. Më kanë dhënë dhe 50 mijë lekë. Një lyerje këpucësh më shkon 7 deri në 10 minuta. Varet nga ngjyra. Furnizohem njëherë në 6 muaj. Ato sa janë bojaxhi, na furnizon. Bojërat e vendit nuk vijnë më”, tha Qaniu.

I vetmi peng i Qaniut, është që këtë profesion nuk arriti që ta trashëgoje tek fëmijët e tij. /ReportTV