5 maj 1913, si u realizua vula e parë postare shqiptare

71

Intelektuali i njohur Lef Nosi, më 5 maj 1913 do të emetonte pullat e para postare me mbështjetjen e qeverisë së Ismail Qemalit, pjesë e së cilës ai ushtronte detyrën e Ministrit të Postës.

Lef Nosi ishte nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, patriot, arkivist, folklorist, etnograf, arkeolog e politikan shqiptar. Njihet si babai i filatelisë shqiptare, personalitet me interesa të gjëra kulturore. Veprimtaria e tij politike-shoqërore ishte pothuajse e pandarë me atë personale. Pranë Arkivit Qendror Shtetëror tërësia e letrave të ardhura në adresë të tij arrin më tepër se 1200, mes tyre edhe me Norbert Joklin, Holger Pedersenin por edhe të rinj që e shihnin me admirim si Qemal Stafa.

Pullat e para postare

Emisioni i parë, ose pulla e parë, u realizua afro gjashtë muaj pas shpalljes së pavarësisë. Ajo nuk ishte e zakonshme, siç janë pullat aktualisht, por kishte formën e një vule në ngjyrë të zezë, me të cilën u shtypën gjithsej 2232 zarfa. Kjo pullë-vulë në zarfa me ngjyra të ndryshme kushtonte 1 grosh dhe u nxorr në shitje në 11 qytete ku funksiononin zyrat postare të ngritura gjatë pushtimit osman. Ajo u vu në qarkullim më 5 maj 1913. Karakteristikë ishte edhe prerja e vulës nga zarfet origjinale dhe vendosja e qarkullimi mbi zarfe të tjerë, praktikë e njohur dhe e përligjur nga Ministria e Postave.

I ngjashëm me të parin është edhe emisioni i dytë, ndonëse disi më i përsosur. Ky emision qarkulloi në periudhën maj-nëntor 1913. Përveç se e shtypur mbi zarf (2442 copë), kjo pullë u shtyp edhe në fletë të bardha (800 copë). Ajo qarkulloi e prerë me makinë qepëse dhe e ngjitur rishtas mbi zarf. Vula e dytë në disa raste u falsifikua nga spekulantë të ndryshëm.

Tejet interesant, madje si një nga më të larmishmit në historinë e filatelisë shqiptare është emisioni i tretë. Jo rastësisht ai është ndër më të kërkuarit nga filatelistët. Ky emision u përdor në zyrat e postës nga 16 qershori deri më 20 tetor 1913. Për të Posta Shqiptare shfrytëzoi një sasi të konsiderueshme pullash të administratës pushtuese osmane të viteve 1909-1910 (gjithsej 39800 pulla), të cilat kishin mbetur pa u përdorur. Mbi to, nëpërmjet një vule dore prej bakri, u vendos mbishtypja: një shqiponjë dykrerëshe dhe nën të fjala “Shqipënia”.